Mislav Karoglan ka nisur të ndryshojë Partizanin. Pas gjashtë pikëve të plota, kroati duket se ka vënë në rrugë të mbarë edhe një tjetër hallkë, repartin e mbrojtjes. Nga prapavija që pësonte në seri, tani Partizani pëson pak. Meritë e teknikut dhe afrimeve jashtë merkatos të Joviçiçit, pozicionimit të Pasagiçit që ishte salduar në stol dhe mënyrës sesi mbron skuadra me ardhjen e trajnerit kroat. Fakte që sjellin shifra të cilat tregojnë qartë ndryshimin.
LLOGARITJET – Në 11 javët e para të kampionatit, Partizani ka pësuar 21 gola, me një mesatare prej 1.9 golash për ndeshje. Ndërkohë, në tri javët e fundit, kjo mesatare ka zbritur në vetëm 0.7 gola për ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, mbrojtja e skuadrës kryeqytetase është ndëshkuar vetëm dy herë, një tregues që flet për një organizim më të mirë në prapavijë. Megjithatë, ky përmirësim nuk është reflektuar ende sa duhet në renditje. Pas 11 javësh, Partizani ndodhet në vendin e fundit, në pozicionin e dhjetë, me vetëm 3 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. Të kuqtë kanë shënuar 12 gola dhe kanë pësuar 21, duke pasur një diferencë negative prej 9 golash.
Pra, edhe pse Partizani ka nisur të tregojë më shumë siguri në mbrojtje, problemet e krijuara gjatë pjesës së parë të kampionatit vazhdojnë ta rëndojnë bilancin e skuadrës. Për më tepër, përmirësimi difensiv duhet të shoqërohet me rezultate pozitive dhe më shumë efikasitet në sulm, në mënyrë që të kuqtë të largohen nga fundi i klasifikimit.
Tri javët e fundit mund të jenë një pikënisje për ndryshimin e situatës, por Partizanit i duhet ta kthejë këtë stabilitet në një ecuri të qëndrueshme, nëse synon të rikthehet në garën për objektivat e sezonit. Dhe konfirmimi duhet të vijë pikërisht në përballjen me Vllazninë.
Kujtojmë që Partizani në këtë moment mban vendin e dhjetë me 10 pikë, ndërsa për të qenë në “top 6” dhe shansin që të luajë në “Final 4”, duhet të rikuperojë edhe 5 pikë që të jetë para Elbasanit që mban vendin e gjashtë me 14 pikë. Për t’ia dalë do të ketë në dispozicion edhe 7 javë ose 21 pikë të mundshme në kampionat.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








