“Një copëz shtëpie” titullohet ekspozita që u çel ditën e djeshme në COD me punime të artistes Melita Çekani , ku janë ekspozuar 13 punime në pikturë të realizuara në vaj me përjashtim tre prej tyre që janë në akuarel .
E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, vihen dhe kundërvihen në ngjyra, trajta e linja impresioniste në pikturat e artistes Çekani. Melita Çekani e gjendur në Tiranë këto ditë për ekspozitën e saj personale tregon se ka vijuar me punimet për Gjirokastrën dhe në Amerikë ku studion. “Duke u rritur në qytetin e Gjirokastrës mua më kanë bërë përshtypje banesat atje, trashëgimia kulturore, arkitektura, etj. Duke filluar që në hapat e para të krijimtarisë sime me temën e Gjirokastrës e kam vazhduar dhe në Amerikë”, pohon mes të tjerave artistja Çekani. “Në punimet e mia është dhe Gjirokastra me vlerat e saj arkitekturore dhe monumentale. Nuk e kam lënë pas dore dhe gjithmonë kam shfaqur interes për trashëgiminë tonë kulturore”,pohon artistja Melita Çekani. Artistja tregon se ka dy vjet që jeton në Amerikë, dhe ”punimet janë të përziera dhe nga ato që unë kam realizuar para se të ikja nga Shqipëria, por dhe nga ato që kam bërë në Amerikë gjatë kësaj kohe ”, vijon të tregojë artistja. Melita Çekani studion art dhe arkitekturë në Nju Jork. Më herët ajo është prezantuar me ekspozitë në qytetin e Gjirokastrës, po ka marrë pjesë dhe në ekspozita të tjera në shtete të tjera. Ajo është vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 shkurt 2018 në ambientet e COD tek kryeministria.









