Delina Ibrahimaj është shkarkuar nga pozita e ministres së Financave dhe Ekonomisë.
Edhe pse ajo publikisht nuk e pranon, e as eprori i saj, kryeministri Edi Rama, në një “Jo” të thatë për mediat, kur pyetën lidhur me çështjen.
Vetë ministrja i komentoi si thashetheme vere lajmet e qarkulluara rreth shkarkimit të saj.
“Janë thashetheme vere, nuk jam shkarkuar as kam dhënë dorëheqjen”, tha ajo nën trysninë e gazetarëve.
Pavaresisht këtij komenti të ministres, Albanian Post i qëndron raportimit se ajo është shkarkuar nga detyra, te cilën e ushtronte prej dy vitesh.
Madje AP ditën e nesërme të 27 korrikut do të sjellë detaje të reja rreth shkarkimit dhe konfliktit mes vetë ministres dhe zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet.
Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ndërsa, ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2021, përpara se të emërohej ministre.
Ajo ka qenë po ashtu në drejtimin e INSTAT gjatë viteve 2015-2016 dhe ka koordinuar çështjet financiare dhe ekonomike në Kryeministri më parë.
Shkarkimi i Ibrahimajt përbën edhe të dytin në pak ditë nga kryeministri Rama, i cili më parë ka liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën në pozitën e lartë./Albanian Post