Më shumë se 13 futbollistë u larguan nga Vllaznia gjatë merkatos së verës dhe në vazhdim të sezonit, duke i dhënë fund aventurës së tyre me skuadrën shkodrane. Një revolucion i vërtetë në përbërjen e kuqebluve, që solli shumë ndryshime në organikën e ekipit.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është fakti se disa prej futbollistëve që sezonin e kaluar ishin titullarë në Shkodër, po shfaqen tashmë protagonistë me skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore. Një prej shembujve më të spikatur është Jago, i cili këtë sezon u bë pjesë e Egnatias, skuadër që aktualisht kryeson kampionatin. Mbrojtësi i majtë brazilian ka fituar hapësirën e tij në formacionin e kampionëve dhe po dëshmon edhe një herë cilësitë që e bënë një prej lojtarëve më të spikatur në këtë pozicion gjatë aventurës me Vllazninë. Një përforcim që ka rezultuar vlerë e shtuar për rrogozhinasit.
Po ashtu, një tjetër histori interesante është ajo e dyshes së mesfushës Mala-Kallaku, që tashmë janë pjesë e Teutës. Të dy futbollistët janë kthyer në pika të rëndësishme të skuadrës durrsake, duke marrë përgjegjësi në lojën e saj dhe duke konfirmuar cilësitë që kishin treguar edhe me fanellën kuqeblu. Madje, bëhet fjalë për dy prej mesfushorëve me më shumë cilësi në kampionatin shqiptar.
Ndërkohë, në kryeqytet, Krymi është bërë një element i rëndësishëm në formacionin e Tiranës. Mesfushori shkodran po fiton gjithnjë e më shumë peshë në skuadrën bardheblu, duke treguar se largimi i tij nga Vllaznia ka qenë një lëvizje që i ka shërbyer një tjetër rivali të drejtpërdrejtë të shkodranëve në kampionat.
Në këtë listë shtohet edhe Gjini, i cili së fundmi po shfaqet protagonist me fanellën e Elbasanit. Mbrojtësi ka nisur të gjejë hapësirat e tij dhe të japë kontributin në skuadrën verdheblu, duke qenë një tjetër ish-kuqeblu që po lë gjurmë në këtë edicion të Superiores.
Të gjithë këta futbollistë kanë një të përbashkët: sezonin e kaluar ishin pjesë e rëndësishme e formacionit të Vllaznisë. Kështu, teksa shkodranët po përpiqen të ndërtojnë një skuadër të re dhe të gjejnë vazhdimësinë në rezultate, disa prej lojtarëve që u larguan gjatë verës po forcojnë pikërisht rivalët e tyre.
Një situatë që me siguri nuk mund të kalojë pa u vënë re në Shkodër, aq më tepër kur bëhet fjalë për futbollistë që e njihnin mirë ambientin kuqeblu dhe që sot po dëshmojnë vlerat e tyre në kampionat. Për Vllazninë, largimet e tyre mund të rezultojnë një vendim për të cilin do të ketë arsye të bëhen analiza dhe reflektime.







