Real Madrid triumfon me “poker” golash në derbi përballë Rayo Vallecano-s, por sërish tifozët e “Los Blancos” nuk ishin të lumtur, ku në “Bernabeu” nuk munguan as vërshëllimat, mbi të gjitha në fraksionin e dytë. Ekipi i Jose Mpurinho-s ishte i papërmbajtshëm në fraksionin e parë ku realizuan 3 gola brenda 35 minutash.
14 minuta lojë i mjaftuan Realit për të zhbllokuar rezultatin, me Kylian Mbappe që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Tre minuta më vonë, Mbappe këtë herë dhuroi një assist të pastër për Carreras, me këtë të fundit që dyfishoi shifrat. Reali nuk e uli ritmin pasi në të 35-tën ishte radha e Jude Bellingham, me mesfushorin anglez që konvertoi në gol një assist të Vinicius jr.
Çuditërisht, me fillimin e pjesës së dytë, Reali uli ritmin e lojës duke i dhënë terren Rayo-s. Një gafë në prapavijë i dha mundësinë Camello-s të ngushte shifrat në 3-1. Për sulmuesin spanjoll ky ishte goli i tij i 6-të në La Liga këtë sezon. Real Madrid thjesht u mjaftuan duke menaxhuar rezultatin, detaj ky që nuk i pëlqeu aspak tifozëve në stadium. Për të qetësuar disa atmosferën mendoi sërish Kylian Mbappe, me “gjelin” më të famshëm që kompletoi “pokerin” e golave për Realin dhe të dytin personal. Mbappe vijon sezonin e tij shumë pozitiv ku falë kësaj “dopjete” shkon në kuotën e 6-të golave, plus 1 assist. Pak minuta për Ballin në këtë sfidë, ndërsa Kumbulla e ndoqi nga stoli.
Pas ndeshjes, Jose Mourinho u shfaq i kënaqur me këtë fitore: “Janë 3 pikë thelbësore. Të fitosh është gjithnjë e rëndësishme, mbi të gjitha pasi ke pësuar një humbje në ndeshjen e fundit në kampionat. Praktikisht e mbyllëm ndeshjen që në pjesën e parë, kjo nuk është e lehtë, plus që vinim nga një ndeshje me Inter 3 ditë më parë. Jam shumë i kënaqur me këtë fitore, edhe pse i kuptoj kritikat për lojën e shfaqur në fraksionin e dytë”, u shpreh Jose Mourinho.






