Banorët e pallatit tetë katësh që rrezikon shembjen në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ nuk e kanë ende të qartë se çfarë do të bëhet me fatin e tyre. Sonte ata protestuan para pallatit dhe hodhën akuza ndaj autoriteteve shtetërore, që sipas tyre nuk e menaxhojnë si duhet këtë katastrofë. Banorët refuzojnë të shkojnë në konviktin e shkollës pedagogjike të ofruar si zgjidhje nga Bashkia Gjirokastër, pasi aty thonë ata, kushtet nuk janë të përshtatshme. Më tej ata u shprehën se prefekti i qarkut dhe kryebashkiakja nuk po merren vesh dhe se ia lënë topin njëri-tjetrit, ndërsa ata s’kanë ku flenë. Disa banorë treguan për ArgjiroLajm.net, atë çfarë kishte ndodhur në dy takime që ata patën gjatë ditës së sotme; takimin me kryebashkiaken dhe më pas me prefektin e qarkut.
Zamira Rami thonë banorët, ishte shprehur se nuk kishte fonde t’u paguante atyre shtëpitë me qira, prandaj u kishte ofruar si zgjidhje strehimin e përkohshëm në konviktin e Shkollës Pedagogjike ‘Pandeli Sotiri’. Kryebashkiakja u kishte thënë gjithashtu se fondin që kishte në dispozicion do ta përdorte për akomodimin e banorëve të pallatit në lagjen ‘Punëtore’ dhe banorët në lagjen ‘Cfakë’, ndërsa për çështjen e banorëve në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, duhet të merret qeveria, jo më kot ajo ka kërkuar shpalljen e Gjendjes së Pjesshme të Emergjencës në Bashkinë Gjirokastër. Në përfundim të këtij takimi, banorët shkuan të takoheshin me prefektin Astrit Aliaj.
Ky i fundit, thonë ata, ishte shprehur se ‘kryebashkiakja Zamira Rami duhet të japë dorëheqjen nëse nuk i del dot për zot kësaj situate’. Gjatë protestës së sotme para pallatit, banorët nënshkruan edhe një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkojnë të marrë masa për problemin e tyre. Deri më tani qeveria nuk ka reaguar zyrtarisht për kërkesën që i ka bërë Bashkia Gjirokastër për të shpallur gjendjen e emergjencës së pjesshme. Mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme se çfarë do të ndodhë. Aktualisht 21 familjet e këtij pallati janë strehuar në të afërm apo kanë gjetur mënyra të tjera alternative.
©ArgjiroLajm.net