Që prej ditëve të para të vjeshtës së kaluar kur u emërua si prefekt i Gjirokastrës, ajo që ra në sy te Astrit Aliaj, ishte tentativa e tij e vazhdueshme për të qenë protagonist në jetën publike në rang qarku, shumë herë më tepër sesa paraardhësi i tij apo të tjerë që kanë shërbyer në atë pozicion. Mbase sensi i tij i lartë i protagonizmit lidhet me karakterin apo se ndoshta projekton diçka tjetër në karrierë për të ardhmen. Sigurisht që ky nuk është ndonjë mëkat i madh. Aliaj është në të drejtën e vet. Por kur ky protagonizëm kërkohet në mënyrë të sforcuar dhe me forma të diskutueshme nga pikëpamja e atributeve që prefekti i jep shpesh vetes këto kohët e fundit, këtu ka diçka që nuk shkon.
Po e ilustrojmë me dy shembuj që vetë Astrit Aliaj i servir publikisht përmes faqes së Prefekturës Gjirokastër. Përpara disa ditësh ishte në Zyrën Arsimore të Tepelenës, ‘për të sqaruar’ siç thotë ai, një ish-mësuese të cilës i ishte ndërprerë kontrata e punës. Pra, kishte marrë ‘për dore’ mësuesen për ta ballafaquar me shefin e Zyrës Arsimore Tepelenë, a thua se ky i fundit nuk e kishte sqaruar më herët vetë mësuesen. Dhe natyrisht që minzanskena duhej të dokumentohej me foto për Facebook, ndryshe ballafaqimi nuk quhet, duke lënë të kuptohet se më i rëndësishëm sesa trajtimi i ankesës së qytetarit, janë fotot nga takimi, të cilat përdoren në funksion të protagonizmit të prefektit. Rasti i dytë ndodhi sot në Bashkinë Libohovë.
Prefekti Aliaj kishte shkuar të bënte ‘ballafaqim’ të kryetares me stafin e saj dhe qytetarët që ishin ankuar, a thua se qytetarët e Libohovës prisnin ‘ndërmjetësuesin’ nga Gjirokastra për të takuar kryetaren e bashkisë, a thua se stafi priste ‘gjykatësin’ nga Gjirokastra për të ulur ‘gjakrat’ me Luiza Mandin. Jo vetëm kaq, por pasi u largua la edhe rekomandime që kryetarja e bashkisë dhe stafi i saj duhet t’i plotësojnë, si dhe t’i nisin më pas atij relacion.
Pra, jemi në kushtet kur një prefekt i emëruar nga Kryeministri si çdo funksionar tjetër në strukturën e institucioneve shtetërore, i ‘shkul veshin’ kryebashkiakëve të zgjedhur me votë nga mijëra njerëz, u bën takime ‘ballafaquese’, u jep direktiva dhe më pas u shpërndan fotot në Facebook, për t’i dhënë vetes statusin e një ‘Robin Hoodi’, që ka ardhur në Gjirokastër për të na shpëtuar nga ca palo kryebashkiakë arrogantë, nga ca palo drejtues që nuk ulen gju më gju me popullin. Të kuptohemi, nuk jemi duke thënë që kryetarët e bashkive, përfshi dhe Luiza Mandin, si dhe drejtuesit e institucioneve të tjera në Gjirokastër, janë ‘ëngjëj’ që po u kullojnë djersët nga puna për popullin dhe se Astrit Aliaj po u i bie kot në qafë. Patjetër që ka abuzim dhe plot raste kur qytetarët nuk marrin të drejtën në zyrat e shtetit, por prefekti Aliaj nuk mund të marrë atribute që s’i takojnë dhe më pas të ‘mburret’ në Facebook si ‘shpëtimtari’ i njerëzve.
Patjetër që ju duhet t’i mirëprisni ankesat e njerëzve dhe më pas t’ja përcillni institucioneve, të cilat kanë detyrimin t’i trajtojnë, por së paku i kurseni këto takimet ‘gju më gju’, këto ‘shkuljet e veshit’ për drejtuesit e institucioneve ose minimalisht mos i dokumentoni me foto për Facebook. Kjo nuk ju bën aspak të besueshëm, të jeni të sigurt! Nga ana tjetër, përmes kësaj forme që ju pretendoni t’u jepni zgjidhje problemeve të njerëzve, por që delegjitimoni statusin e të zgjedhurve me votë, jeni duke krijuar edhe një model që bie ndesh me platformën e bashkëqeverisjes me qytetarët. Kryeministri që ju ka emëruar juve, fton njerëzit, që çdo ankesë ta çojnë te ShqipëriaQëDuam.al ndërsa ju po i merrni njerëzit nga ‘dora’, duke u shfaqur si babaxhan dhe po ua ‘përplasni’ zyrave kryebashkiakëve dhe drejtuesve të tjerë, duke i nxjerrë ata në opinionin publik si të këqinj që nuk u shërbejnë qytetarëve.
Zoti prefekt, po ju këshillojnë gabim! Po të jetë për ne, ‘portali i lidhur me bandat e drogës’, ndonëse ju s’ja vërtetuat kurrë qytetarëve, mund të themi fare lehtë që më mirë të vazhdojë kështu Astrit Aliaj, se ne material duam të mbushim faqet dhe s’kemi pse e bëjmë çështje fare. Por në fakt, nuk jemi cinikë dhe as po presim të shohim dështimin tuaj, thjesht e çojmë këtë shqetësim, që ju të mos e ulni nivelin e asaj që përfaqëson Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës.
Kryeministri Rama, me ndihmën e këshilltarit të tij dhe mikut tuaj Sandër Lleshi, ju zgjodhi si Prefektë në 12 qarqe të vendit, për të patur një rol më aktiv sidomos në drejtim të emergjencave civile, jo për t’u shndërruar në ‘korrierë’ të etur për protagonizëm të sforcuar që banalizojnë institucionin ku janë emëruar. Besojmë se kolegët tuaj në qarqet e tjera nuk veprojnë në këtë mënyrë. Në qoftë kështu, atëhere s’kemi të bëjmë me një rast të izoluar vetëm në Gjirokastër dhe i bie që vetë Edi Rama t’iu ‘shkulë veshin’ Prefektëve të tij. Më poshtë foto nga takimi në Tepelenë dhe Libohovë.
© ArgjiroLajm.net