Mëngjesi në këtë luginë në Tepelenë na shfaq një pamje madhështore. Me male që ngrihen drejt qiellit dhe një reliev të krijuar me përsosmëri prej nënës natyrë. Ecim në luginën e Bënçës ku rrjedh një lumë me po të njëjtin emër i cili përshkon gryka, ngushtica kanionesh të lashtë, deri sa tretet me ujrat e Vjosës. Udhëtimi ynë vështirësohet prej rrugës, pasi asfalti mbaron shpejt sapo kalon zonën e burgut të famshëm të Bënçës. Për të shkuar deri në fshatin Lekdush duhet të përshkosh rreth 8 kilometër rrugë të pashtruar, me gurë, gropa, shkëmbinj…Tabani i saj i pa sigurt, e ka kthyer në një sagë të mundimshme lëvizjen në këto anë. Në fakt rruga e keqe lidh një krahinë të tërë me qytetin e Tepelenës, por edhe me bregdetin e Jonit.
Fundi i rrugës është një befasi! Para nesh shfaqet kanioni i madh i Kurveleshit. Ai konsiderohet një vepër e inxhinierisë natyrore e cila në llojin e saj është e rrallë dhe nuk e gjen në asnjë vend të botës. Për kënaqësi 8 kilometrat e rrugës mitike i kaluam për gjysëm ore duke shijuar gjithçka. Pikërisht aty ku nuk e prisnim, çuditshëm rruga shfaq e asfaltuar. Kjo të ngjason sikur jeton në dy realitete atë të së pamundurës, errësirës dhe zhvillimit dhe harmonisë.
Lekdushi, Progonati dhe zinxhiri i fshatrave e vendbanimeve të lashta të Kurveleshit ende mbahen edhe pse tranzicioni i vështirë i ka vënë në provë të madhe banorët e këtyre anëve. Emigrimi, papunësia dhe braktisja e fshatit ka sjellë një tkurrje të jetës këtu. Ndërsa fshati shqiptar po përballet me probleme të mëdha, qeveria shqiptare ka nisur një projekt ambicioz. Ai synon urbanizimin dhe sistemimin dhe mban emrin kuptimplotë “Projekti i 100 fshatrave”. Në Shqipëri numërohen 4000 fshatra që po përballen me sfidat e kohës. Por sëbashku me zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, ndarja dhe sistemimi i fermave të bagëtive dhe gjësë së gjallë, mendohet të sjellë edhe një koncept të ri të zhvillimit të larmishëm të fshatrave dhe bashkë me ta edhe agroturizmi.
Dhe ky koncept ka nisur të zbatohet në fshatin Nivicë të Tepelenës. Fshati u bë i njohur kohët e fundit edhe nga një reagim i fortë i banorëve të tij të dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë për ndalimin e ndërtimit të disa HEC-eve. Dhe pas presionit të madh të banorëve të zonës dhe mbështetësve të tyre, fshati me historinë mitike duket se po rilind. Investimet e rëndësishme që kanë nisur në këtë zonë kanë ngjallur shpresat e niviciotëve. Shumë janë rikthyer prej emigrimit dhe kanë përshtatur shtëpitë e tyre në bujtina ku qindra turistë anembanë botës po përjetojnë mikpritjen, ushqimin dhe natyrën e pabesueshmë të Nivicës.
Banorët e fshatit shfrytëzojnë lidhjet nëpërmjet rrugëve të vjetra që të çojnë drejtë detit, çka ka krijuar dhe itinerarin turistik tashmë të njohur “Via Egnatia” , Borsh – Kurvelesh – Zagori. Kjo zonë ka shfaqur përherë e më shumë interes nga turistët e huaj, të cilët kombinojnë gjatë pushimeve të tyre malin me detin edhe pse rruga është ajo që mbetet pengesa kryesore për zhvillimin e qenësishëm të Nivicës dhe Kurveleshit në tërësi.
Por në Nivicë gjendet një kala e hershme dhe me legjenda të cilat duket se do ta ringrenë të kaluarën e ndritshme të qytezës antike falë edhe interesit të shumë grupeve arkeologjike që do të gërmojnë aty. Teksa largohemi prej Nivicës, ndjejmë se pas lëmë edhe kënaqësinë e krijuar prej besimit të banorëve të cilët shpresojnë se ardhja e RTSH do të jetë një zë i fuqishëm për ta dhe rimëkëmbjen e jetës së tyre. Bie mbrëmja dhe udhëtimi ndalet në një tjetër fshat të Tepelenës me histori të lashtë dhe të re, Peshtani. Një tjetër model i zhvillimit. Në kohëra të ndryshme territori rreth Peshtanit ka qenë një arenë e përgjakshme luftrash dhe betejash për pushtet.
Por tashmë duket se këtë pushtet e kanë marrë në dorë peshtanakët, shtëpitë e të cilëve gumëzhijnë prej vizitorëve.
Mirela dhe familja e saj e kanë mbushur oborrin me miq. Turistë nga Australia, Holanda dhe Franca po shijojnë pasditen në bujtinën e kësaj familjeje punëtore. Vjola është studentja energjike e cila studion në Tiranë për drejtësi por që po ngjall shpresë jo vetëm për të rinjtë tepelenas, por për të gjithë rininë shqiptare që siç thotë ajo e vetmja punë që dinë të bëjnë më mirë është që të dynden kafeneve.
Në një bujtinë në Peshtan gjen një muze të luftës së dytë botërore me të gjitha armatimet dhe pajimët e betejës Italo-Greke dhe për vizitorët e largët australianë kjo është një histori që i befason. Peshtani ka një histori kaq të larmishme me natyrën, betejat dhe përplasjet historike, por edhe me monumentet e rëndësishme fetare ku më së shumti kishat e vjetra të cilat regjimi i kaluar I rrafshoi. Por besimi për peshtanakët është rikthyer me po të njëjtin ritëm. Kisha e Shën Marisë në krye të fshatit është rindërtuar edhe më e bukur. Peshtani është edhe vendlindja e një poeti dhe heroi. Ai eshte Trifon Xhagjika të ciluin diktatura komuniste e persekutoi deri në ekstrem. Në Peshtan takojmë edhe publicistin Mero Baze, i cili duket se e dashuron marrëzisht vendlindjen e tij. Ai ka rindërtuar shtëpinë e tij ku pret e përcjell miq shqiptarë e të huaj. Me Peshtanin mbyllim një etapë të rëndësishme të udhëtimit tonë drejt “Projektit të 100 fshatrave”, në shumë prej të cilëve projektet kanë filluar të materializohet duke ndryshuar edhe jetën e duke i dhënë asaj një kuptim të ri optimist për banorët./RTSH