Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga hetimet e kryera mbi vetëvrasjen e 17-vjeçares Irsa Muçollari në Gjirokastër më datë 10 shkurt, ndërsa Prokuroria ka hedhur poshtë pistën e bullizmit si shkakun kryesor të vetëflijimit.
Burimet kanë bërë me dije se Prokuroria e Gjirokastrës ka rrëzuar pistën e bullizmit, si dhe ka mohuar faktin që e reja të ketë lënë pas një letër lamtumire.
Sipas Prokurorisë, letra që është gjetur në sendet e Irsa Muçollarit i përket një detyre të lëndës së Anglishtes që e reja e ka shkruar kur ka qenë pjesë e sistemit 9-vjeçar të shkollimit.
Deri më tani në procesin e hetimeve janë të përfshirë mbi 30 persona, familjarë, të afërm, psikologë e nxënës të shkollës “Siri Shapllo” ku Irsa vijonte të studionte.
Gjithashtu nga hetimet kanë dalë në dritë dhe disa frangmente nga orët mësimore në klasën e 17-vjeçares, ku raportohet se e reja mbante gjithmonë përpara në bankë telefonin e saj.
Sipas raportimeve, mësuesja i kishte kërkuar disa herë të hiqte telefonin, por është përballur me kundërshtime nga ana e 17-vjeçares, detaje këto që bien në kontraditë me natyrën e qetë të Irsa Muçollarit, siç është përshkruar ajo nga familjarët e saj.
Hetuesit janë në pritje të zbërthimit të celularit të 17-vjeçares për të hedhur më shumë dritë mbi arsyet e vërteta që çuan adoleshenten drejt vetëvrasjes.