Me sa duket te gjithe perfaqesuesit e zgjedhur per te qeverisur si ne pushtetin qendror ashtu dhe ate vendor ne Shqiperi do te jene me vote te deleguar Kryetarët e bashkive, sipas nje ideje te Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të ishin mirë sikur të zgjidheshin nga Këshillat Bashkiakë dhe jo më drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Kete variant edhe pse jo si dokument zyrtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka dërguar dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashit dhe Blendi Çuçit, përfaqësuesve të Shoqërisë civile dhe vëzhguesve të OSBE-ODIHRit, ambasadave të SHBA-së dhe BE-së.
Reforma Zgjedhore, sipas KQZ-së, duhet të shikojë si mundësi ndryshimin të sistemit zgjedhor aktual në zgjedhjet lokale, duke e bërë atë një sistem proporcional vendor. Pra, nëse kjo ide do të merret në konsideratë nga forcat politike, do të thotë që sërish qytetarët të mos votojnë drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë që mendojnë se i përfaqëson, por të votojnë vetëm për siglat e partive politike. Pra, do të jetë një fletë votimi vetëm me siglat e partive politike shkruan “Panorama”. E njëjta formulë që zbatohet sot për zgjedhjen e deputetëve të parlamentit. Në materialin prej 13 faqesh, që i është dërguar Kuvendit, theksohet se:
“Të harmonizojë sistemin e zgjedhjeve parlamentare me ato vendore. Shkaqet që çuan ligjvënësin drejt vendimit për sistemin proporcional në zgjedhjet e përgjithshme janë po aq të vlefshme edhe për zgjedhjet vendore. Një sistem zgjedhor proporcional vendor do përforconte efektin dhe do i plotësonte më shpejt objektivat politikoligjore të sistemit zgjedhor të ri”. Po ashtu, kjo justifikohet me faktin se ka më pak kosto për buxhetin e shtetit, pasi do të votohet vetëm me një vlerë votimi si dhe do të ketë më shumë femra në Këshillat Bashkiakë.









