Aktet e dhunës në protestë janë një krim, që kushdo i kryen do të vihet përpara përgjegjësisë, thotë ambasada e SHBA-ve në një reagim para protestës së opozitës jokuvendore pasditen e sotme. Ambasada e SHBA në Tiranë, i nxit të gjitha palët, si pjesëmarrësit në protestë ashtu edhe policinë, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndërsa partive politike i bën apel të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv.
Edhe Bashkimi Evropian i bëri apel liderëve politikë të opozitës joparlamentare të sigurojnë që protesta e sotme kundër qeverisë të jetë paqësore. Në një deklaratë pak orë para protestës së opozitës, delegacioni i BE-së dënon aktet e dhunës, ndërkohë i bën apel edhe policisë që edhe në rast provokimesh, autoritetet duhet të veprojnë në zbatim të ligjit me vetëpërmbajtje. Bashkimi Evropian dhe selitë diplomatike të vendeve evropiane në Tiranë, e quajnë urgjencë uljen e palëve në dialog me njëra-tjetrën për t’i dhënë fund krizës që sipas tyre do të ndikonte drejtpërdrejtë në të mirën e qytetarëve shqiptare sa i përket procesit drejt anëtarësimit në BE.
Reagimi i fortë ishte edhe ai i familjes së OSBE ku theksohet se drejtuesit e protestës duhet të jenë të përmbajtur, e ku e quajnë të papranueshme përdorimin e bombave molotov, hedhjen e gurëve apo shashkave.









