Nga Isa Myzyraj
Vitet e kaluara, lotaria amerikane bëri “kërdinë” në Shqipëri, çka tregoi qartë se shqiptarët ishin lodhur me gjithçka në vendin e tyre. Përveç emigracionit masiv, me njerëz, që ikën në Gjermani në kampet e mjerimit, e të tjerë ikën në frigoriferë drejt Anglisë, Shqipëria nisi të boshatisej, dhe lotaria amerikane ishte një opsion tjetër,për një jetë më të mirë për shqiptarët.
Vitet e fundit,emigracioni ka qenë masiv, dhe nëse llogarisim numrin e emigrantëve, rezulton që vetëm në tre vitet e fundit, ka ikur nga Shqipëria një qytet i tërë periferik (përjashtojmë qytetet e mëdha). Pra, një qytet për 3 vite në Shqipëri u boshatis!
A është lotaria amerikane ‘zgjidhje’ e të gjitha halleve? Jo, përkundrazi është një hall më shumë për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Lotaria amerikane nuk mund të jetë zgjidhje për shqiptarët, për disa arsye:
1) Ikja nuk është zgjidhje
Nëse zgjidhja e vetme për shqiptarët është ikja nga vendi i tyre, atëherë pse jemi shqiptarë? Ikja nuk është zgjidhje, zgjidhje është qëndresa,është të bërit ballë një sistemi, që ka vendosur mjerimin e shqiptarëve, e nuk është e lehtë të jesh përballë një sistemi, e di! Por, nëse ne besojmë dhe ne luftojmë për vendin tonë, atëherë rezultati padyshim që do të jetë në favorin tonë. Të ikësh do të thotë të heqësh dorë, e të heqësh dorë do të thotë të dorëzohesh, të dorëzohesh do të thotë që je i paaftë, i paaftë do të thotë të jesh i nëpërkëmbur e i shtypur, i shtypur do të thotë të mos jesh i zoti i vetes, i fëmijëve të tu dhe i familjes tënde, por a jemi ne të paaftë për t’i dalë zot familjes dhe jetës sonë? Sigurisht që jo, ne jemi të zotë të mbrojmë familjen dhe fëmijët tanë, ne mundemi, nëse ne duam! Atëherë, pse duhet të ikim, kur të gjitha premisat i kemi që ta shtypim, qoftë edhe me forcë, këtë mjerim?
2) Vështirësia e krijimit të një jete nga fillimi
Ikja në Amerikë do të thotë, mbi të gjitha, fillim i ri. Por fillim i çka-je? Fillim i një jete, pra nisja nga ‘zero-ja’ e jetës tënde, gjetja e një shtëpie, pune, stabilizimi i ekonomisë, rrugët e reja, arsimimi, shërbimet publike, pra gjithçka nga ‘zero-ja’. A është në të vërtetë kaq e lehtë të ‘lindësh’ për së dyti? Jo, është më e vështirë ngase mund të imagjinohet, dhe përtej vështirësisë është stres dhe stërmundim. Asnjëherë nuk e dimë çka mund të na sjellë “Jeta e re”:a)para, super punë, luks, qetësi, dashuri, apo mjerim, shfrytëzim, depresion, dhimbje?! Asnjëra nga dy opsionet nuk mund të përjashtohet.
3) Skllav në Amerikë apo në Shqipëri?
Mendon se ikja në Amerikë do të të sjellë, ndoshta, një punë në zyrë? Sigurisht, që jo! Në administratë? Jo e jo! Pra, do kesh punë të rëndomta, do shfrytëzohesh, njësoj si këtu, ku pronari, i cili është “boss” do të thotë:“bëj atë punë, bëj këtë, bëj atë tjetrën, bëje edhe këtë”, e ti çfarë do i thuash? JO?! Nëse i thua “JO”, do të të heqë nga puna, e si pasojë do ngelësh pa parà, e si rrjedhojë e gjithë kësaj – pa bukë; apo mos ndoshta mendon se pronarët amerikanë janë “ëngjëj” krahasuar me shqiptarët? Jo, përkundrazi, ata janë pronarë dhe duan punën të mbaruar, ashtu siç ta kërkojnë. Pra,si në Amerikë apo në Shqipëri do të jesh i shfrytëzuar, e nëse këtu të paktën e ngre zërin (edhe pse nuk të dëgjohet!), atje nuk do të kesh mundësi ta ngresh as zërin.
4) Karriera
Nëse në Shqipëri mundësitë për të bërë karrierë janë të pakta, në Amerikë janë ‘zero’, sigurisht flasim për shqiptarët, që ikin atje në një moshë madhore dhe jo për ‘vendasit’. A mendoni se duke qenë student ekselent në Shqipëri, do jeni edhe në Amerikë po njësoj? Gaboheni, sepse konkurrenca e madhe do t’ju heqë nga ‘sistemi’ ekselent menjëherë, e për pasojë do të ngeleni thjesht një student i papunë dhe i huaj në kërkim ‘të fatit’.
5) Kosto e papërballueshme e jetesës
Mund të thoni, që në Amerikë rrogat janë më të mira dhe për pasojë, jetesa është më e lehtë, por gaboheni! Me çfarë do të jetoni deri sa të siguroni një rrogë të majme,ku probabiliteti që ta sigurosh këtë rrogë është shumë i pakët? Po nëse nuk e siguron një punë të qëndrueshme, me çfarë do të ushqehesh? Po shtëpinë, po biletat e transportit publik, po spitali, po ushqimi, po dritat, po uji, po pastrimi, po taksat? I keni llogaritur këto?!
6) Familja
Ike në Amerikë, po familja jote? Vërtet mendon, se Amerika do të të lërë që të mendosh shumë për familjen? Atje do të kesh 100 probleme të tjera, duke u marrë me stabilizimin e jetës tënde e do kujtohesh pak për të, epo, le të hamendësojmë se u martove me një amerikane të pasur dhe u rehatove; po mami, po babi, po vëllai dhe motra e vogël? Atje është kulturë tjetër mik/mike i/e dashur, harroje që do mund ta kontrollosh llogarinë për të ndihmuar familjen, që vuan nga mungesa jote dhe do që të të ketë pranë. Lokale luksoze, alkool, party, femra, meshkuj muskulozë, e ti më në fund po bën jetë ‘luksi’, ndërkohë që mami të telefonon, por ti s’ke kohë, sepse je ‘në punë’!
Amerika nuk të kërkon, sepse ka nevojë për ‘zyrtarë’, për njerëz të kollarisur, të siguroj që ka sa të duash njerëz të tillë në Amerikë. Por, Amerika ka nevojë për krah pune dhe punëtorë, prandaj bojkoto lotarinë amerikane, bëju ballë vështirësive të vendit tënd, dhe ndjehu krenar që zgjodhe Shqipërinë para Amerikës!/Dritare.net