Një situatë e vështirë është regjistruar gjatë natës në disa zona të Qarkut të Gjirokastrës, ku vatrat e zjarrit janë shfaqur në territorin e Memaliajt, Tepelenës, Gjirokastrës dhe zonave përreth.
Përmes një reagimi publik, ministrja e Arsimit dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur se situata ka qenë veçanërisht e vështirë në disa prej vatrave, ku flakët kanë marrë përmasa të mëdha.
“Shumë e vështirë ishte situata sonte në Qarkun e Gjirokastrës, nga fshati Çërril në Memaliaj, në Dragot në Tepelenë ku zjarri mori përmasa shumë të mëdha, nga Ballabani e deri në Labovën e Madhe në Gjirokastër e së fundi në fushën e Lazaratit”, shkruan Kumbaro.
Përballë situatës, strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të të gjithë qarkut janë mobilizuar për përballimin e vatrave të zjarrit. Sipas Kumbaros, ekipet nga Dropulli, Libohova, Përmeti, Këlcyra, Gjirokastra, Tepelena dhe Memaliaj kanë vepruar në mënyrë të koordinuar, duke lëvizur nga një vatër në tjetrën.
Operacioni është zhvilluar në koordinim me Prefekturën, Drejtorinë Vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkitë e qarkut, ndërsa në përballimin e situatës janë angazhuar edhe mjete të Autoritetit Rrugor. Në gatishmëri kanë qenë gjithashtu Spitali Rajonal dhe shërbimet shëndetësore.
Kumbaro ka vlerësuar mobilizimin e strukturave dhe bashkëpunimin mes institucioneve, duke e përmbledhur mesazhin e saj me një shprehje që, sipas saj, karakterizoi reagimin ndaj situatës: “Një Qark – një Familje.”
Ajo ka shprehur mirënjohjen për të gjithë efektivët dhe punonjësit e strukturave të angazhuara në terren, ndërsa ka falënderuar edhe bashkitë kufitare nga qarqet e tjera për gatishmërinë e treguar për të dhënë mbështetje.
“Mirënjohje pa fund”, shkruan Kumbaro, duke vlerësuar punën e të gjitha strukturave që u angazhuan gjatë natës për të përballuar flakët në disa zona të Qarkut të Gjirokastrës.









