Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga protestat dhe aktet e dhunës në Tiranë.
Koçiu ka dënuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës, duke rikujtuar pasojat që ka sjellë kaosi në të kaluarën. Ajo ka bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe ruajtjen e institucioneve dhe sigurisë publike.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.
Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.
Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.
Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, ka shkruar zëvendëskryeministrja në “Facebook”.









