Ura e Kordhocës, e ndërtuar rreth vitit 1820, në fillesat e saj lidhte tre qytete kryesore në Jug, Gjirokastër, Libohovë dhe Janinë. Ura me harqe është gjithashtu edhe një pikë lidhëse e hapësirës mes zonës së Lunxhërisë dhe Dropullit.
E konsideruar si një ndër ndërtimet më të rëndësishme të periudhës otomane, ajo është e gjatë rreth 20 m dhe rreth 4 m e gjerë. Filma të tillë si “Ja vdekje, ja liri”, “Dasma e Sakos” apo “Muri i gjallë” e kanë patur këtë urë pjesë të skenave të tyre interpretuese.
Ujërat e shumta të Drinos në sezonin e shirave dhe mungesa e vëmendjes në vite kanë dëmtuar themelet mbështetëse të këmbëve të saj. Gjendja e rënduar e urës evidentohet më së shumti pas tharjes së lumit. Drejtoria e monumenteve në Gjirokastër ka folur prej kohësh për një projekt restaurimi që pritet të zbatohet në muajt e verës pas shterimit të ujërave. Deri atëherë të gjithë duhet të shpresojmë që edhe kjo urë, monument kulture, të mos ketë fatin e dhimbshëm të urës 200 vjeçare të Hoshtevës, e rrëmbyer nga ujërat e përrenjve vetëm një javë më parë, duke iu shtuar listës së pasurive të humbura monument kulture.