Ka nisur puna për restaurimin e fasadave të 137 objekteve në qytetin e Gjirokastrës.
Investimi përfshin 10 objekte në zonën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe 127 objekte jashtë zonës së mbrojtur në lagjet përreth Bulevardit “18 Shtatori“.
Investimet po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe projekti parashikon rehabilimin e fasadave të banesave kolektive, suvatimin e tyre, lyerjen, zëvendësimin e ulluqeve vertikale në pjesët ku janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht dhe vendosjen e kasetave të shkarkimit në rastet kur janë dëmtuar ose kur mungojnë.
Restaurimi i fasadave në Gjirokastër ka një vlerë prej rreth 202 milionë Lekë me TVSH, dhe financohet nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB), në kuadër të projektit “Punët në Komunitet IV”. Aktualisht punimet kanë përfunduar në rreth 45 objekte dhe vijon puna për të mbyllur edhe pjesën tjetër të objekteve. Punimet parashikohet të përfundojnë në Nëntor 2017.
Paralelisht me këtë ndërhyrje, Fondi Shqiptar i Zhvillimit sapo ka filluar nga zbatimi edhe “Projektin për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin”, financuar nga Banka Botërore, ku Bashkia Gjirokastër së bashku me bashkitë e Beratit, Sarandës dhe Vlorës, janë përfituese të drejtpërdrejta.