Atletja keniane Caren Chelagat është dënuar me katër vite pezullim për shkelje të rregullave antidoping, pasi rezultoi pozitive për norandrosteron pas Maratonës Ndërkombëtare të Durbanit, më 3 maj 2026.
Substanca e ndaluar u zbulua në mostrën e saj gjatë analizave në një laborator të akredituar nga WADA në Doha. 31-vjeçarja mohoi përdorimin e qëllimshëm të substancës dhe pretendoi se ajo mund të kishte ardhur nga një trajtim mjekësor para garës, por nuk arriti të paraqiste dokumentacionin e nevojshëm për ta mbështetur këtë version.
Ajo gjithashtu nuk kërkoi në kohë analizimin e mostrës B. Sipas rregullave të “World Athletics”, kjo u konsiderua si heqje dorë nga e drejta për një seancë dëgjimore. AIU i ofroi mundësinë për të pranuar shkeljen dhe për të ulur dënimin me një vit, por atletja vijoi të deklaronte pafajësinë.
Për rrjedhojë, pezullimi 4-vjeçar mbeti në fuqi dhe të gjitha rezultatet e saj nga 3 maji e në vazhdim u skualifikuan. Rasti i Chelagat është një tjetër goditje për reputacionin e atletikës keniane, e cila vitet e fundit është përballur me disa raste doping.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









