Shorti i Ligës së Kombeve në Ligën C, ka vendosur Shqipërinë në një grup me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Në opinionin e përgjithshëm, finlandezët kanë ekipin nga i cili kuqezinjtë duhet të ruhen për të shmangur ndonjë surprizë në një edicion ku objektivi është qartësisht fitorja e grupit dhe kthimi në Ligën B.
Finlandezët sot kanë bërë publike listën e lojtarëve të ftuar dhe ka emra mjaft të njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Trajneri Jakob Fris ka grumbulluar 25 lojtarë, me disa ndryshime të rëndësishme në ekip. Kaan Kairinen dhe Glen Kamara kthehen përsëri në mesfushë pas një mungese të gjatë, ashtu si emra si Bergstrom, Lahtenmaki e Stahl që kishin qenë prej kohësh të dëmtuar. Në listë ka vetëm një debutues, sulmuesi Adrien Svanbak i Haken.
Sigurisht në listë ka emra mjaft të njohur, si portieri i Monako, Lukas Hradecki, apo sulmuesi Joel Pohjanpalo, i cili ka luajtur me ekipe si Bajer Leverkusen, Hamburg, Union Berlin, Venecia e së fundmi Palermo gjatë karrierës së tij.








