Laert Duraj është kandidati për deputet i Partisë Socialiste për Tepelenën dhe Memaliajn. Ai renditet i katërti në listën e socialistëve për këtë qark. ArgjiroLajm.net sjell një intervistë me menaxherin e suksesshëm në fushën e arsimit, që kërkon të bëj një kthesë në karrierën e tij, duke u përfshirë në politikë.
Më poshtë intervista e plotë.
Z.Duraj ka mbetur edhe një javë nga dita e zgjedhjeve. Në vlerësimin tuaj, si ka qenë kjo fushatë?
Unë kam marrë pjesë në shumë fushata elektorale, pasi angazhimi im me Partinë Socialiste është i hershëm, daton që në vitin 1992. Dhe e them me bindje që kjo është fushata më e qetë që kam parë dhe besoj se ky është një zhvillim pozitiv. Ndonëse ditët e fundit kemi parë rritje të toneve mes palëve, mendoj se edhe java që ka mbetur do të kalojë pa probleme. Incidentet sporadike apo ndonjë tentativë për të krijuar konflikte artificiale nuk e zhbën dot normalitetin e kësaj fushate.
Përse një menaxher si ju, lë mënjanë angazhimin në sektorin e arsimit, ku keni kontribut të rëndësishëm në dy institucione prestigjoze të arsimit të lartë dhe atij profesional, për t’u bërë pjesë e politikës?
Unë nuk është se i besoj shumë rastësisë dhe prandaj dua të theksoj se nuk jam aksidentalisht në këtë garë. Siç e thashë angazhimi im në PS ka më shumë se dy dekada, ndërsa ky është një moment i ri në jetën time politike, pasi dëshiroj të marrë përsipër përgjegjësi më të shumta si deputet i ardhshëm i Kuvendit. Në këtë mënyrë do të mund të adresoj në Kuvend apo institucione të tjera ato çështje që shqetësojnë komunitetin që unë përfaqësoj. Mandati i deputetit ta jep këtë mundësi prandaj unë jam në këtë garë. Kam përvojën, dashurinë për vendlindjen dhe vullnetin për të qenë zëri i Tepelenës dhe Memaliajt në Parlament.
Si do ta përshkruani fushatën tuaj personale përgjatë këtij muaji?
Mendoj se nuk është korrekte të thuhet fushatë personale, pasi ne funksionojmë si një i ekip i përbashkët me kandidatët e tjerë të qarkut, por patjetër që brenda kësaj skuadre kemi detyra të ndara. Kanë qenë ditë intensive dhe një përvojë e jashtëzakonshme.
Kam takuar shumë njerëz, kam dëgjuar shumë zëra, përfshi edhe ata kritikë, nëpër fshatrat, lagjet dhe rrugicat e Tepelenës e Memaliajt, për të kërkuar mbështetje me votë në 25 qershor. Në fushatat elektorale teorikisht ka një rregull, që thotë se sa më shumë njerëz të takosh, aq më pranë fitores je. Kam bindjen se kjo ka për të ndodhur në 25 qershor. Javën e shkuar në zonën tonë ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Do të vazhdoj takimet edhe në këtë javë të fundit, për të bindur çdo njeri që është sadopak dyshues, se projekti i Partisë Socialiste është i duhuri për Tepelenën, Memaliajn dhe për Shqipërinë që duam. Dhe se vota për parti të tjera është votë e çuar dëm, është një mundësi e shpërdoruar.
Cilat kanë qenë disa prej problematikave kryesore që ju keni hasur në zonën tuaj dhe si angazhoheni për t’i zgjidhur?
Problemet janë kryesisht në infrastrukturën rrugore, bujqësi, prodhimet blegtorale etj. Sigurisht që ne kemi bërë shumë në këto 4 vite, por jo aq sa duhet dhe kemi nevojë. Të mos harrojmë se në mandatin e parë mbushëm gropat e keqqeverisjes së PD-së. Nëse nuk votëbesojmë sërish Partinë Socialiste për të vijuar me investimet dhe reformat, kemi shumë më shumë për të humbur. Siç e kemi thënë shpesh me kryeministrin Rama apo kolegun Bledi Çuçi në takimet elektorale, mandatin e dytë nisim projektet e “Rilindjes Rurale”, një paketë investimesh ekskluzivisht për fshatrat, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, për të mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral.
Është paketa prej 1 miliard eurosh investime brenda 3 viteve të ardhshme, që do të krijojë vende të tjera pune dhe do të transformojë Shqipërinë. Për t’u vënë në jetë ky plan ambicioz kërkojmë një mandat qeverisës të vetëm, ndaj mbështetja kësaj radhe për Partinë Socialiste duhet të jetë si asnjëherë më parë.
A keni një mesazh të shkurtër për banorët e Tepelenës, Memaliajt dhe gjithë zonës tuaj?
Më shumë sesa thjesht një mesazh elektoral unë dëshiroj t’u bëj një apel, një thirrje patriotike dhe shumë të sinqertë: Në 25 qershor të votojnë numrin 2 në fletën votimit. S’ka aleternativë tjetër më të mirë për Shqipërinë që duam sesa Partia Socialiste dhe Edi Rama Kryeministër. Harroni flamujt e partive, idealet apo pasionet tuaja politike. Vota e 25 qershorit është votë për Shqipërinë që duam.
Humbasim shumë nëse lejojmë që Shqipëria të futet në çadër apo të mbetet në dorën e forcave politike që e mendojnë pushtetin si një të drejtë që u takon përjetësisht. I bëj thirrje simpatizantëve të PD-së, LSI-së dhe gjithë partive të tjera, të bashkojnë mendjet dhe zemrat në ditën e votimit, duke zgjedhur vetëm Partinë Socialiste të Shqipërisë.
/ArgjiroLajm.net/