Ish-deputeti Ervin Salianji po vijon me turin e tij të Foltoreve me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, që janë të zhgënyer e të lodhur nga përdorimi që Sali Berisha po u bën atyre si mburojë për interesat personale të tij dhe të familjes.
Këtë të mërkurë, Salianji po zhvillon takim me struktura të PD-së në Berat, ku fjalën e tij e nisi me sulme ndaj qeverisë, duke e akuzuar si shkaktare të shpopullimit të Shqipërisë.
“Duket sikur shoqëria shqiptare është futur në një kafaz. Jemi mbledhur për këtë: për të folur për fatin e Shqipërisë, për vendin tonë të bekuar që sot është më i lodhur se kurrë. Për një vend ku të rinjtë, në momentin e parë që munden, duan të ikin dhe të largohen. Kjo është tragjedia më e madhe e këtij regjimi.
Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë qytetarët shqiptarë. Shteti është kthyer në pronë private. Politikanë që duket se nuk kanë as dashurinë dhe as ndjeshmërinë më të vogël për vendin. Këtë e ndjen çdo qytetar në familjen e vet, në një ndjenjë të thellë braktisjeje.
Shqipëria po zbrazet nga dita në ditë dhe atyre që qeverisin nuk u vjen as turp. Madje krenohen me vjedhjet e radhës. Një maskarallëk.
Në çdo vend kemi takuar qytetarë, demokratë e socialistë, që nuk thonë asnjë fjalë të mirë për Edi Ramën. Të gjithë e dinë se kemi një qeveri që nuk e njeh realitetin e familjes shqiptare. Në fund të ditës, çfarë lehtësimi u ka ofruar Edi Rama shqiptarëve në këto 13 vite?”, – tha Ervin Salianji.









