Bashkia Sarandë u gjendet pranë fëmijëve, banorë të Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla”.
Dita e sotme ishte e veçantë dhe plot emocione për banorët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë. Arsyeja ishte përcjellja e 4 fëmijëve që janë rritur në këtë Shtëpi. Në ceremoninë e përcjelljes së Gentjanit, Ylberit, Xhuljanit dhe Azemit, ishte edhe kryebashkiaku Adrian Gurma. Ai u ka bërë dhuratë 4 fëmijëve nga një bllok-ditar dhe stilolapsin me simbole të Sarandës, që ata të hedhin mbresat dhe kujtimet që i lidhin me këtë qytet dhe me këtë shtëpi që i rriti.
“Hope for the World” u ofron atyre transferimin në qendrën e vet për të vazhduar shkollën e mesme.
Kryetari Gurma, u shpreh se “këta fëmijë do të na mungojnë, por njëkohësisht jemi të entuziazmuar për mundësitë dhe rrugët e reja që po u çelen”.
Ai u kërkoi atyre të rikthehen për pushimet e verës në Sarandën që i pret dhe premtoi se, edhe pas largimit, ata do të kenë mbështetjen e tij personale.