Ish-lideri i Partisë Socialiste, ish-kryeministri Fatos Nano i është drejtuar me një video-mesazh punimeve të Kongresit të PS-së, i mbledhur në 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.
Duke përgëzuar këtë parti për fitoren e mandatit të tretë, Fatos Nano thotë se kjo duhet të shërbejë për të çuar përpara reformat ekonomike, luftën kundër korrupsionit apo dhe zbatimin e ligjit.
Sipas tij vetëm Edi Rama mund ta përmbushë këtë mision të vështirë.
“Ky është një përvjetor që na jep krenari. Në 3 dekada kemi ruajtur traditat më të mira duke u përballur me sfidat e zhvillimit. Jemi e forca e vetme që mendon botërisht dhe vepron lokalisht.
Ne ditëm të formonim lidershipe të reja. Përshëndetje Edi, ta kalojmë stafetën nga etërit tek bijtë duke mbajtur pararojë të shoqërisë shqiptre.
Natyrshëm jemi infektuar nga sëmundjet e politikës së tranzicionit por i kemi bërë ballë. Sprova jonë e vitalitetit dhe e sfidës ndaj kohës kur jo të gjithë ndryshojnë për mirë është fitorja e mandatit të tretë rradhazi.
Jam gëzuar për fitoren e mandatit të tretë. Le të vazhdojmë reformat për zhvillimin ekonomik, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Askush nuk mund ta përmbushë këtë mision. Unë kam besim se me Edi Ramën dhe bekimin e Zotit do ta përmbushim këtë mision historik. Rrofshi dhe qëllofshi në shenjë” – tha Nano.








