Spitalet gjermane kanë rritur interesin për të bërë pjesë të stafit të tyre mjekët dhe infermierët shqiptarë. Sipas burimeve rezulton se ditë më parë një prej spitaleve gjermane ka zhvilluar takim me infermierët e QSUT ku iu ka ofruar atyre punë kundrejt pagave të larta dhe kushteve më të mira.
Mësohet se janë përzgjedhur afro 20 infermierë të cilët pritet të lënë Shqipërinë pasi të marrin certifikatën e gjuhës gjermane.
Shoqata e infermierëve thotë për Televizionin Ora se fenomeni i largimeve nuk ka prekur vetëm spitalet shtetërore por edhe ato private.
Po sipas kësaj shoqate rezulton se vitet e fundit janë larguar nga vendi, kryesisht drejt Gjermanisë, 6 mijë e 500 infermierë.
Shifrat janë alarmante sa i përket edhe mjekëve. Sipas Urdhërit të Mjekut vetëm përgjatë vitit të shkuar kanë lënë vendin 164 mjekë.
Arsyet nuk janë vetëm ato financiare, shumë prej tyre shprehen të pakënaqur me vlerësimin e figurës së personelit shëndetësor si dhe kushtet e punës që ende lënë për të dëshiruar.