Partizani ka zyrtarizuar katër lojtarë në këtë merkato, si dhe ka rinovuar me Bintsukën. Bie në sy se Skuka, Isgandarli, Garsia dhe Bintsuka i përkasin repartit të sulmit. Në anën tjetër Martinez plotësoi boshllëkun në krahun e djathtë të mbrojtjes. Nëse reparti ofensiv nuk lë vend për emra të tjerë apo mbrojtja po merr formë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet në mesfushë.
Partizanit i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm nga paraqitjet e sezonit të kaluar në Europë. Bëhet fjala për Maget dhe Rrapajn, që udhëhiqnin skuadrën drejt repartit ofensiv. Nga grupi që mbylli kampionatin, janë larguar po ashtu Taipi dhe Mintongo. Në anën tjetër, Shala dhe Ismaili qëndrojnë të dëmtuar. Kështu, mesfusha nuk ka aktualisht alternativa me eksperiencë.
Sembene po preferohet në atë repart, ndërsa Mehmeti është duke u provuar për mbrojtjen. Mungesa e alternativave ka bërë që Tedi Malaj të luajë dy ndeshje miqësore në mesfushë. Futbollisti i talentuar faktikisht luan në repartin e sulmit. Nga formacioni titullar në miqësoret me Rabotniçkin dhe Dinamon, vetëm Kote ka pozicionin natyral në mesfushë.
Koha tashmë është kundër, pasi sfida me Kaljun qëndron 10 ditë larg. Lojtari që do të përforconte mesfushën, ka humbur fazën përgatitore. Te Partizani nuk janë nxituar me zgjedhjen e mesfushorit, sepse duhet të jetë lider i vërtetë në fushë. Mbetet për t’u mësuar në korrik se cili lojtar do zyrtarizohet për përgjegjësinë e madhe.