Shpenzimet e kandidatëve në zgjedhjet vendore do të monitorohen në terren prej ekspertëve të akredituar në KQZ.
Të dhënat që do të mblidhen do të krahasohen me faturat e blerjes. Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ që po vazhdon të administrojë procesin me Kodin Elektoral të pandryshuar.
Ekspertët kontabël dhe të auditit do të monitorojnë në terren shpenzimet e partive politike dhe të kandidatëve të tyre për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe do ti krahasojnë të dhënat me faturat e blerjes.
Ka qenë ky një ndër vendimet që është miratur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të rritur monitorimin dhe kontrollin mbi financimet dhe shpenzimet në fushatë.
Pas mbledhjes, kryetari i KQZ-së Klement Zguri tha procesi për administrimin e zgjedhjeve do të vazhdojë me kodin aktual pasi forcat politike nuk mundën të realizojnë reformën zgjedhore.









