Kryetari i Industrisë së Turizmit të Sarandës, Arben Çipa ka reaguar për lirimin e dhunuesit të tij, Dioment Musa.
Përmes një reagimi zyrtar, Çipa shprehet se ky vendim i marrë nga prokurorja dhe gjyqtarja ka shkaktuar një mosbesim të thellë te qytetarët e Sarandës, pasi si Diomet Musa po ashtu dhe Markelian Musa, rezultojnë të jenë njerëz me rrezikshmëri dhe me precedentë të mëparshëm penalë.
“Ky pretendim nga prokurorja dhe ky vendim nga gjyqtarja në fjalë kanë ngrirë shpresën e qytetarëve të Sarandës, konfirmuar kjo nga reagimet në rrjetet sociale për mostrat të cilët janë me precedentë penalë nga e shkuara, madje njëri prej tyre është shpallur në kërkim”, shkruan ai.
Gjithashtu, biznesmeni Çipa ngre pyetjen sesi mund të lihet i lirë një dhunues, duke ngritur një dyshim se ai do e ketë më të lehtë komunikimin me bashkëpunëtorin e tij, i cili është shpallur në kërkim.
Reagimi i plotë:
Ky pretendim nga prokurorja dhe ky vendim nga gjyqtarja në fjalë kanë ngrirë shpresën e qytetarëve të Sarandës, konfirmuar kjo nga reagimet në rrjetet sociale për mostrat të cilët janë me precedentë penalë nga e shkuara, madje njëri prej tyre është shpallur në kërkim.
Lind pyetja: Si mund të lihet i lirë dhunuesi, kur bashkëpunëtori i tij është akoma në kërkim? Apo u la i lirë për të komunikuar dhe vepruar lehtë dhe në koordinim me personin në kërkim?
Interpretimi i sakte ligjor për situatën në fjalë vijon si më poshtë:
Nëse organi i procedimit e ka regjistruar procedimin penal për plagosje të rëndë dhe deri në caktimin e masës nuk ishte administruar akti i ekspertimit mjeko-ligjor, nuk është vepruar korrekt për masën e caktuar. Në rastin konkret, personi paraqet rrezikshmëri shoqërore të lartë, ka qenë evident rreziku i ikjes dhe shmangies nga procedimi penal që zhvillohej në ngarkim të tij, si dhe për efekte të parandalimit të përshkallëzimit të situatës ndërmjet palëve, duhej ta kishin lënë në arrest në burg (qoftë dhe me afat 15-20 ditor) deri në administrimin e aktit të ekspertimit.