Nëse ka ngelur një shans për kompromis mes qeverisë dhe opozitës për të shkuar së bashku në zgjedhje, ai mund të hapet me rrëzimin e vendimit të KQZ për pranimin e listave të kandidatëve për deputetë më 29 prill.
Jo se marrëveshja politike është në vartësi të këtij vendimi, por rrëzimi i tij do të ishte zgjidhja ligjore për ta futur procesin në shinat e Kushtetutës.
Data 29 prill, si afat i pranimit të listave shumemërore, është konsideruar si shkelje e aftit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, jo vetëm nga PD, por edhe nga 3 anëtarët e KQZ të mbështetur nga opozita.
Oerd Bylykbashi tha më 29 prill se KQZ kishte shkelur ligjin. Për pasojë as ligjërisht s’mund të kishte zgjedhje më 18 qershor.
Hysen Osmanaj, Klement Zguri e Pranvera Shtjefni dolën me një deklaratë ku e quajtën tejkalim të kompetencave ligjore vendimin e KQZ për të pranuar listat e kandidatëve për deputetë më 29 prill, kur afati 50 ditor përpara datës së zgjedhjeve është data 28 prill.
Por pikërisht kjo shkelje e ligjit, mund të hapë siparin e zgjidhjes ligjore të një gare gjithëpërfshirëse, gjithnjë në rast nëse do të ketë marrëveshje politike në përpjekjet për ta bërë edhe opozitën pjesë të procesit.
Vendimi i KQZ mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor nga partitë politike parlamentare. Dhe nëse Kolegji konstaton, siç pretendon PD dhe 3 anëtarë të KQZ, që afati ligjor dhe kushtetues i pranimit të listave shumemërore është shkelur, atëherë ai do ta bënte nul vendimin e KQZ.
Çfarë do të sillte një vendim i tillë?
Ekspertë të çështjeve zgjedhore shpjegojnë për lapsi.al se ky vendim do ta detyronte KQZ –në të kërkonte një zgjidhje ligjore për të vendosur një afat tjetër të pranimit të listave.
KQZ mund t’i drejtohet Kuvendit në këtë rast për të miratuar një dispozitë ligjore.
Kjo dispozitë do të të sillte si pasojë jo vetëm një afat të ri për pranimin e listave, por edhe zhvendosjen e të gjitha datave që kanë të bëjnë me zgjedhjet, të përcaktuara në Kodin Elektoral, përfshirë dekretin e presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Oerd Bylykbashi e paralajmëroi këtë më 29 prill.
“E theksoj, nga dita e sotme askush nuk regjistron më lista dhe nga dita e sotme ose më mirë të themi nga mbrëmë në mesnatë ka përfunduar ligjerisht, përveçse politikisht, edhe kjo farsë që u quajtën zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor. Praktikisht dhe ligjërisht ka rënë edhe dekreti i Presidentit”, deklarote ai.
Për të arritur në këtë pikë, partitë politike duhet më parë të gjejnë gjuhën e konsensusit. Vetë PD vazhdon ta shohë marrëveshjen si rrugëzgjidhje.
“E vetmja mënyrë që shqiptarët nga sot e tutje të votojnë të lirë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike e cila do ti mundësojë ata në një moment tjetër të votojnë me kushte të tjera dhe jo me këto që imponon kjo maxhorancë”, tha Bylykbashi të shtunën.
Vetëm pas një marrëveshje të mundshme Parlamenti do të mund të votonte ndryshime në Kodin Zgjedhor, në një seancë të jashtëzakonshme.
Pranimi i listave jashtë afateve nuk është teknikalitet, thotë PD. Është element kushtetues, shkelja e të cilit e bën nul procesin në çdo rrethanë tashmë.
“Ndonjë politikan gjithollog do thotë ky është teknikalitet. Ka një problem të vogël që listat janë element kushtetues i sistemit zgjedhor. Mosregjistrimi i tyre në afat rrëzon sistemin zgjedhor, pra rrëzon zgjedhjet e dekretuara”, shkruan në një status në Facebook, Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore.
Lapsi.al mësoi se në Bruksel ka edhe përpjekje për të gjetur zgjidhje, në kontakt mes palëve, bazuar në propozimet e bëra nga negociatori David McAllister. /Lapsi.al