Nga Kristo Mërtiri
Një sofër madhështore e shtruar bukur, e prekshme në cdo sokak e kalldrëm, te banorët e cdo moshe në qytetin e gurtë por kurrë “zemër gur”, në cdo dyqan e njësi shërbimesh tregtare dhe gjer te kurora vezulluese e Kështjellës shekullore. Kurorë e thurur me dhjetra kilometra fijesh nga duar artizanësh dhe me ngjyrat e feksura të ylberit jo dosido nën kupën e qiellit të kulluar të qershorit…Pret e përcjell mysafirë e “krushq” të gëzuar nga gjithë Shqipëria: Mirëseerdhët, ju lumshin këmbët !”. Një rikthim emocionues në vendlindjen e këtij Festivali Folklorik Kombëtar, në Gjirokastrën tonë të dashur e qesqine, që për dekada me radhë ka shpalosur si askush gurrën popullore nga tërë trojet shqiptare. Një unitet i vecantë artistik i paprekshëm, e pse jo edhe tepër atdhetar e patriotik. “I zoti i shtëpisë”, Flamur Golemi me shokë, ashtu të pagjumë e plot merak njerëzor e shtetëror, interesohen deri në detajet më të vogla. Se Qeveria e Bashkia e kanë “zgjidhur qesen” për ngjarjen kulturore më madhore të vitit. Dhe mirë bënë ! Jo rastësisht ministrja Margariti, shikon e provon pëllëmbë për pëllëmbë ecurinë organizative, teknike e artistike. Madje në lartësitë e Kurorës ylbermbajtëse, ajo u ngjit vetë dhe shijoi e para bukuritë natyrore të qytetit në festë, luginën gurgulluese të Drinos, Odrien gjithë lisa gjithë hije, Lunxhërinë plot lezete e Bureton, Zagorinë e Cajupin me qylaf dëbore, Dropullin e Sopotin …Të gjitha nga skena jo e zakonshme e Festivalit, sidomos mbrëmave drithëruese përmes detit popullor me dallgë kostumesh marramendëse, me këngë, valle e melodi nga tërë krahinat. “Ndezi këngën Shqipëria/ në kalanë e Festivalit/ te ky shesh që s’harron kurrë/ këngën e Xhevat Avdallit…”. E dini kush e këndoi ? Vetë Flamuri, kryetari i Bashkisë që populli e besoi dhe vlerësoi prapë. Pa qibër e fodullëk kolltuku, tundi skenën pa fjalime të rëndomta ky djalë lab, mjek e administrator i mirë. Xhubletat e fustanellat palë-palë, zërat e talentuar do të sjellin për një javë motive të zgjedhura e të përzgjedhura nga një Komision profesionistësh me në krye të papërtuarin Thoma Gaqi. Burimore e larg politizimeve absurde. Por do na sjellin pranë edhe usta Laver Bariun; bardin e polifonisë së Bregut si vetë rrapi i Pilurit, Lefter Cipën kryegdhendës të fjalës “gur qosheje”; Taso Gjokutën e pavdekshëm për fëmijë e të rritur në breza; Dhimitër Varfin, Arap Celoleskaj, Gjok Nonaj, Fatime Sokolin etj. emra të paharruar.
Kur e hapi siparin qarku Kukës-Has-Tropojë, kujtova menjëherë tupanat mbi daullen e mjeshtrit Xhemali Tocila. Daulle që dukej se lëvrinte edhe damarët e gurëve në kalldrëme, e jo më zemrat e njerëzisë. I ndrittë shpirti atje ku po prehet !…Si ish korrespondent profesionist i Qarkut të Gjirokastrës, nuk mund të harroj penën që lëshonte xixa e flakë atdhetarie përditë në shtypin qëndror, penën e papërsëritshme të poetit e gazetarit mjeshtër, Xhevahir Spahiu. Por edhe penën e të mirit Thanas Dino, që ka ditur dhe di të vjelë ende disa personalitete të shquara në art e kulturë, njerëz që kanë lënë gjurmë të pashlyera nëpër lëndinat e kësaj bote të krokolepsur. Të shkruara bukur e pa pikë ujë të tepërt. Të shkruara me zemër krijuesi të vërtetë… Agu i së dielës në Gjirokastër erdhi me tinguj ciftelie e me hapat si sorkadh mali, erdhi kështu nga kërcimi i cikave të Tropojës ! Vallja e tyre më bëri të kthehesha jo pak por 55 vite prapa në memorie. Bashkë me imazhet e pashuara ende të Fatos, bashkënxënëses fatkeqe tropojane në Pedagogjiken “Pandeli Sotiri”. Kërcimtarja e mrekullueshme që dha gjakun e mbylli sytë te dera e konviktit, një pasdite zezonë nëntori. Plumbat e verbër të gjakmarrjes(hakmarrjes), nuk e kursyen moshën e saj në lule të jetës, talentin e saj në shpërthim. Miku im përmetar, Pëllumb Hodo, e kujton vazhdimisht me dhimbje e pikëllim sot e kësaj dite, atje në Ogren të Dangëllisë ! Dhe jo vetëm ai. Janë 4 breza pedagogjikas dëshmitarë okularë në finalen e ngjarjes macabre me gjurmë të thella e tronditëse. Me siguri, cdo valle e cikave tropojane, u sjell edhe portretin e Fatos në fluturim. Një copëz tragjedie e pazbardhur ende publikisht… Mirëpo, skena natyrore e Festivalit, përcolli edhe një këngë për Heroin e Dragobisë, “trim tribunin e vegjëlisë”, Bajram Currin e ajkës së shqiptarisë. Interpretuesit Ibrahim e Eduart Mucaj dhe Sherif Margjeka, ndezën emocione të reja. Po kështu kënga për Pjetër Bogdanin, ku hasianët Gëzim e Isuf derdhën talentin e tyre. Potpturia e këngëve të dasmës lumjane dhe sidomos stafeta e ciftelive në duart e një grupi fëmijësh, rrëfyen mesazhet e vazhdimësisë. Sistemet politike vijnë e shkojnë, pushtetet qëndrore e locale ndërrohen, por trashëgimia e ndritur folklorike vetëm shtohet e pasurohet në zemrën e popullit. Ajo nuk pranon asnjë rekrutim a tesër partiake. Kushdo që është përpjekur të vërë sadopak dorë djallëzisht, ka dështuar e do të dështojë…
Në mesnatën e së premtes, drejt Lapardhasë së Vlorës po shkonte një makinë. Automjet që nuk bartëte e shpërndante vetëm këngën e famshme “Janinës c’i panë sytë”. Brenda saj ishte edhe një koshere bletësh plot e përplot. E dini kush ishte shoferi që cante vapën dhe errësirën ? Ishte vetë “Mjeshtri i Madh”, pensionisti me pension minimal e talent maksimal, i mirënjohuri Nazif Cela. E la kryeqytetin pa asnjë pishmanllëk. Dhe jeton në Vlorën e zemrës ! Vetëm atje zëri i tij sikur shpalos plotësisht motivet e vjetra e të reja të baladave labe. Shkëndijat e stërallit të këngëve epike e lirike, ndizen e marrin flakë në skena të mëdha e të vogla, në vatra e sofra familjare. Atje ku buron burimi i gurrës popullore. Ashtu si bleta që mbledh nektarin lule më lule e krejt bio, edhe miku im Nazif nuk pushon së mbledhuri nektarin e këngëve të zgjedhura dhe me interpretimin e tij origjinal u jep krahë e jetë nëpër Labëri e gjetkë. Një shembull i rrallë pasioni e talenti. Po shkonte të bënte “provën e fundit” në Lapardha, me 7 djemtë e shkëlqyer që mbajnë lart traditën paraardhëse të Nazifit me shokë. Dhe sfidojnë kohën e parasë pa djersë dhe kur tjetri “nuk të thotë as “mirëmëngjes” po nuk pati interes”… Mbrëmë, qindra artdashës e vizitorë përjetuan më afër e si më bio këngën “Qeraxhiu i Grebenesë”. Interpretim virtuoz i Isait, marrësit 25 vjecar; i Nazifit zot i plotfuqishëm i Refrenit; I kthyesit Golik; I hedhësit Meleq dhe i mbajtësve perfekt të isos, Selimi, Valteri, Ardi e Saliu. Mjaft nga të pranishmit në kala, mërmërinin e shoqëronin “Mjeshtrin e Madh” nga Lapardhaja :”Qeraxhi, të plastë kali!/ Pse ndave nusen nga djali?”. Kjo këngë e ky interpretim do të mbahen mend gjatë… Ndërsa media elektronike na bombardon përditë me kronika të zeza(sikur të zëvendësonte një zyrë informative të Policisë së Shtetit! ),mjafton që njerëzit e palexuar të shushaten e të thonë qesimce “ky vend nuk bëhet”(?!). Realisht gjersa syte dhe veshët të mbeten hapur vetëm brenda Unazës së Tiranës. Gazetari infantile, përtace e ulëritëse !
Punëtorët e palodhur të skenës e të artit popullor, nuk e kanë hic mendjen te reklamat verbuese të dyshekëve e sallamit, të ilaceve plot enigma e klinikave fitimprurëse të dyshimta. P.sh. grupin Folklorik “Bilbili” e drejton zhulatasi mendjehapur e i papërtuar, Sejmen Gjokoli. A e dëgjuat mbrëmë këngën e mocme “Mike, në të kam për mike” ? Është rënkimi e shpërthimi i një burri të përgjëruar që e ka dashur me kokë e zemër bashkëshorten,pa kalem e kartë ia lë amanet të patretur:” Kur të vdes të bënesh qyqe/ Të më qash brigje më brigje/ Sos me lotë po dhe me ligje…/Qajëmë moj trëndelinë,/ Qajëmë mua të zinë,/ Për tyja prisha shtëpinë !”. C’të zgjatet më tej ? I ka thënë të gjitha ! Poetin popullor nuk e sfidojnë kollaj. Si ai nuk ka të tjerë. Prandaj burimi përcillet i pastër, pa lajle e lule artificiale. Perlat mbeten perla. Nuk të lejojnë asnjë korregjim a “redaktim” të sertë zyrtar e provincial. A mund të vësh dorë, përshembull, te ajo kënga e përpunuar nga penëholli Nertesi Asllani dhe interpretuar nga mjeshtrat e njohur Bardha Brahimi e Berdo Berdaj ? Flitet për një trim me emër e mbiemër, për Maze Merkon smokthinjotin. Mbrëmë edhe muret shekullore të kalasë vunë veshin e dëgjuan:” Kasollja pas bregut ryrë/ Si luan e kishin shtrirë/ Shterpa, pëlleja një mijë/ Mbushur një gropë e një brinjë./ Qengjat manar blegërinë/ Rreth e rreth kasolles vijnë./ Qentë si ujqër ulërinë,/ Gjakun e Mazes lëpinë./ Maze Merko smokthinjoti/ Bari me vesë pika loti/ O Maze, nur more !”… Lumi i Vlorës është një antologji e pafund, një lumë këngësh që nuk shteron kurrë. Pa harruar Fatoshin, bilbilin e shumënjohur të Dukatit; të rinjtë e Kaninës/ grupet e Sevasterit; Delvinës; Himarës etj. Por nuk mund të lë mënjanë miqtë e mi të vjetër të Ansamblit “Cipini”. Kur ndiqeshim këmba-këmbës nga SHIK-u i Gazidedes(1996), mbaj mend që këndonim motive trimërie nga ky Ansambël i vecantë që drejtohet ende nga nipi i Zigur Lelos, Tomori i palodhur që vlerësohet edhe në Kosovë e gjetkë. Edhe mbrëmë e tundën fort kalanë gjirokastrite: “…Selanik e Manastir/ Ajkë e trimave janë grirë./ O Bezhan përmbi Janinë/ Palla labe bën kërdinë/ Gjylet të vinin zinxhir/ 100 topa një të shtirë”. Me Tomorin, rrallë mund të konkurojë njeri edhe në ngritjen e këngë-bejteve aty për aty, në caste gëzimi a hidhërimi…
Duke hedhur këto shënime fundqershori, kujtova një rrëfim të pazakontë të Dritëroit të madh për njeriun që e kish tronditur jo pak gjatë fëmijërisë në Devoll. Quhej Banë Vranishti. Zëri i tij kish qarkulluar nëpër disqe të viteve ’30 të shekullit që shkoi. Sepse “kënga mund të bënte cudira edhe më të mëdha”. Ja, si tani, 79 vite më parë, gjatë Operacionit gjerman të Qershorit, në fshat bëhej një dasëm. Po këndonte vetë Banë Vranishti. “…Papritur vijnë gjermanët për të ndjekur tre-katër partizanë të fshehur në fshat. Dasmorët u trembën, por Banë Vranishti nuk e ndërpreu këngën. Gjermanët rrethuan oborrin me zhurmë dhe pastaj ranë në heshtje si të gjithë dasmorët. Zëri i Banës i bëri të shtangnin. Pritën sa të mbaronte kënga, pritën sa të fillonte një tjetër e një tjetër…Në vend që t’i zinin rob partizanët, u zunë vetë rob nga kënga. Nderuan dhe ikën nga fshati. Banë Vranishti i mundi gjermanët. Kjo ishte e vetmja betejë e tij në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare pa dalë në male me partizanët…”.(Ishte “përkëdhelës i madh i këngës”,xhaxhai i dy këngëtarëve të famshëm devollinj, Nevruz e Ali Kondi).
Se kënga popullore është e lirë kudo : në dasma, në luftëra, në varfëri, në vdekje !