Shqipëria përkujtoi këtë të mërkurë 6-vjetorin e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, një prej ngjarjeve më të rënda të dekadave të fundit, që goditi vendin me magnitudë 6.4 dhe shkaktoi pasoja shkatërruese.
Bilanci i asaj dite fatkeqe mbetet i dhimbshëm: 51 qytetarë humbën jetën, mbi 900 u plagosën, ndërsa shumë banesa u shembën ose u dëmtuan rëndë.
Qytetet më të goditura, Durrësi, Thumana dhe Tirana, mbajnë ende plagët e ngjarjes, ndërsa për shumë familje 26 nëntori është më shumë se datë – është humbje, tronditje dhe kujtim i një tragjedie kolektive.
Gjashtë vjet më pas, rindërtimi paraqitet me komplekse dhe shpeshherë familjet kanë pasur pakënaqësi për afatet e zgjatura të futjes në banesat e reja.
Ndërkohë, ekspertët e sizmikës dhe urbanistikës paralajmërojnë se Shqipëria mbetet një vend i ekspozuar ndaj rrezikut sizmik.
Raportet ndërkombëtare theksojnë se standardet e reja të ndërtimit janë forcuar ndjeshëm pas vitit 2019, por ndërtesat e vjetra – sidomos ato të ndërtuara para viteve ’90 – vijojnë të përbëjnë rrezik serioz për popullsinë, veçanërisht në zonat urbane të dendura.









