Avokati i njohur Spartak Ngjela është shprehur se raporti i Venecias, ku thuhet se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, nuk i ka lënë më vend për shpresë Metës.
I ftuar në studion e Ditari në A2, Ngjela tha se “Akti i Presidentit ishte akt administrativ i pavlefshëm. Atë e tha KQZ-ja, institucioni të cilit i shkoi dekreti. Në rast se KQZ do të zbatonte një dekret të pavlefshëm, do të shkonte në burg. Moszbatimi i ligjit ka nen të veçantë në Kodin Penal, kështu që Presidenti pse nuk e çoi KQZ-në në Prokurori? Sepse e dinte se dekreti i tij ishte i pavlefshëm”.
Ndërsa komentoi raportin e Venecias, ku thuhet se “mund të mos kenë qenë aq të rënda sa për shkarkimin e Presidentit”, Ngjela tha se këtë gjë e vendos vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Shkelje e lehtë apo e rëndë e vendos gjykata dhe ata e kanë përmendur këtë gjë në raport. Komisioni, Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese do të thonë të vetën. Shkelja është e rëndë, Presidenti nuk ka më shpresë. Shpresa e fundit e tij ishte Venecia. Ata e thanë: “në rast se do të eliminoheshin zgjedhjet se nuk hyri njëri, atëherë nuk do të kishte kurrë zgjedhje”. Data 30 Qershor ishte domosdoshmëri dhe largimi nga zgjedhjet i njërës palë nuk anulon zgjedhjet”.
Sipas Ngjelës, “nëse Presidenti do të ndiqet penalisht është shenjë e mirë për historinë e Shqipërisë, pasi kjo tregon që po fillon të funksionojë pushteti gjyqësor”.
“Është ende me paterica, por Gjykata e re Kushtetuese që del ka aktin e parë të saj atë me Presidentin. Aty do të shikojmë se si po ecën Shqipëria. Pas shkarkimit, Meta do të presë Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vjen, atëherë qëndron në detyrë si President”, shpjegoi Ngjela.









