Në interpelancën e thirrur për çështjen e biletarisë elektronike në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka sqaruar opinionin në lidhje me bazën ligjore dhe tarifat që do të aplikohen.
“Kjo monedhë 50 lekëshe është arsyeja e kësaj interpelance urgjente. Është ky çmimi i biletës individuale për të hyrë në çdo Park Kombëtar apo Natyror të pajisur me infrastrukturë të dedikuar për vizitorët. Nëse hyn me makinë me 5 veta, çmimi bëhet 150 lekë, pra 30 lekë për person. Dhe ky çmim ulet akoma më shumë nëse vizitorët hyjnë me makinë me 10 vetë: 200 leke gjithsej, dmth 20 lekë për person. Dhe nëse kemi një autobus me 50 vetë çmimi është 300 lekë për të gjithë pasagjerët bashkë, pra 6 lekë të reja për person në ditë”, është shprehur Kumbaro.
Ministrja e Mjedisit ka përmendur edhe një herë se nuk bëhet fjalë të paguajnë banorët, punonjësit e subjekteve private brenda parkut dhe as peshkatarët. Mirela Kumbaro ka përmendur edhe gjithë bazën ligjore të këtij vendimi, që nuk është i pari në llojin e tij pasi ka precedentët e Parkut Kombëtar të Dajtit, Parkut Natyror të Syrit të Kaltër apo Parkut Natyror të Kune-Vainit ku aplikohet biletaria elektronike. Në përundim për të injoruar furtunën e kotë të deputetes së PD-së, ministrja Kumbaro i ka lënë 50 lekë mbi foltore. Shihni pamjet.