Kryetari që rikandidoi dje për një mandat të dytë dhe të fundit sipas tij për të udhëhequr partinë MEGA, Kristqa Kiço, në një intervistë për Lexo.al ka folur rreth zhvillimeve në parti, komunikimit të munguar me PBDNJ, propozimet e saj për çështjet e minoritetit grek dhe koalicionet e mundshme të zgjedhjeve të qershorit të këtij viti.
Sa i përket organizimit dhe funksionimit të MEGA-s shprehet se ajo është një forcë politike që po rritet çdo ditë dhe ku demokracia e brendshme është e sanksionuar në statutin e saj.Duke folur për të drejtat e minorietit grek në Shqipëri, Kiço thekson se çështja e pronave, gjuha amtare, mbrojtja e minoriteteve dhe të të drejtave të njeriut, janë prioritete kyçe të MEGA-s.
Mbi marrëdhënien e MEGA-s me PBDNJ ai shprehet se nga ana e Dules ka mungesë komunikimi dhe përgjigjeje ndaj kërkesës për bashkëpunim strategjik. Sipas Kiços, PBDNJ “Ishte krijuar një grupim që e trajtonte përfaqësimin politik të minoritetit grek si ekskluzivitet. Nuk ka patur asnjë strategji për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme që ka patur minoriteti dhe më e keqja asnjë strategji për zhvillimin ekonomik të zonave. Partia MEGA krijoi një besim tek mbështetësit e vet dhe arriti suksesin e saj të parë elektoral me fitoren e bashkisë së re të Finiqit dhe përfaqësimit në bashkinë e Sarandës në nivel nënkryetari.”
Sipas tij, qëllimi i PBDNJ ka qënë vetëm mbajtja e pushtetit lokal dhe përfaqësimi në parlament pa një strategji të qartë në lidhje me të ardhmen e minoritetit. Kjo bëri që në zonat minoritare të mos bëhen investime ne infrastrukturë , por nuk ka patur as edhe një strategji konkrete për zhvillimin ekonomik. Megjithatë ne e kemi ftuar PBDNJ për bashkëpunim edhe në 2013-ën , edhe në zgjedhjet lokale të 2015-ës por nuk kemi marrë përgjigje.
Koalicionet e mundshme për zgjedhjet e qershorit Kiço thotë se do i vendosin strukturat e partisë, duke shprehur njëkohësisht edhe pakënaqësinë për kodin zgjedhor aktual. Gjithësesi, Kiço shprehet se “ne do të synojmë një bashkëpunim strategjik për trajtimin dhe zgjidhjen e gjithë problematikave që përmendëm më lart dhe nuk do jetë aspak një marrëveshje për të përfituar vende pune në administratë”.
Intervista e plotë e kryetarit të MEGA-s, Kristaq Kiço e dhënë për Lexo.al:
Lexo.al – Zoti Kiço, si po shkon procesi i organizimit të MEGA-s? Jeni gati për zgjedhjet e qershorit sa i përket anës organizative të partisë?
Kristaq Kiço – Në rradhë të parë unë dua t ju falenderoj që më jepni mundësinë për të informuar opinionin publik në lidhje me zhvillimet brenda partisë MEGA (Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen ) si dhe të shprehim mendimet tona për zhvillimet politike në këtë prag zgjedhjesh parlamentare. Procesi i organizimit të partisë MEGA vazhdon në përmbushje të vendimeve të kongresit që u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar . Ky proces ka vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe me ngritjen e strukturave në gjithë territorin ku ne kemi anëtarë dhe simpatizantë të partisë me qëllim që kjo strukturë të jetë gati për zgjedhjet e 18 qershorit.
Lexo.al – Sot MEGA zhvillon zgjedhjet brenda saj sipas parimit 1 anëtar 1 votë. Çfarë pritet të zgjidhet në këto zgjedhje brenda partisë? Kush janë kandidatët për kryetarë?
Kiço – Që në krijimin e saj në mars të 2010 , partia MEGA e ka sanksionuar në statut parimin një anëtar një votë. Për ne kjo përbën një normë elementare të demokracisë dhe i jep të drejtën çdo anëtari të thjeshtë të shprehet dhe të gjykojë nepërmjet votës së lirë. Dhe kjo nuk ka si të mos ndodh në një parti të minoritetit grek edhe për faktin që në Greqinë e lashtë ka lindur demokracia. Votimi I ditës së sotme do ti japë partisë organet e reja drejtuese ,këshillin e përgjithëshëm dhe kryetarin që do drejtojnë partinë për tre vitet e ardhshme.Krahas kandidaturës sime ku unë kërkoj një mandat të dytë dhe të fundit , konkuron edhe një figurë tjetër e spikatur dhe me vlera intelektuale z. Dhimitër Koça.
Lexo.al – Sa është anëtarësia e MEGA-s sot që flasim? Si ka variuar rritja e anëtarësisë dhe e votave që nga themelimi i partisë në 2010 deri më sot?
Kiço – Sot pritet që rreth 3000 anëtarë të marrin pjesë në votim. Nuk ka qënë aspak e lehtë për një parti që kërkonte të sillte një frymë të re në skenën politike të minoritetit por edhe më gjërë. Ka qënë shumë e vështirë , jemi akuzuar si përçarës të minoritetit por ajo që na udhëhiqte në misionin tonë ishte mëse e qartë dhe kështu që i rezistuam me sukses sfidave të kohës. Ishte krijuar një grupim që e trajtonte përfaqësimin politik të minoritetit grek si ekskluzivitet. Nuk ka patur asnjë strategji për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme që ka patur minoriteti dhe më e keqja asnjë strategji për zhvillimin ekonomik të zonave.Partia MEGA krijoi një besim tek mbështetësit e vet dhe arriti suksesin e saj të parë elektoral me fitoren e bashkisë së re të Finiqit dhe përfaqësimit në bashkinë e Sarandës në nivel nënkryetari.
Lexo.al – Pas zgjedhjeve të sotme që MEGA zhvillon brenda vetes, çfarë pritet të ndodhë me aktivitetin e saj, cilat janë prioritetet?
Kiço – Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe ristrukturimit të saj partia MEGA do vazhdojë aktivitetin politik për të zgjidhur problematika mjaft të mprehta që shqetësojnë minoritetin grek në Shqipëri. Prioriteti numër një i saj ka qënë dhe mbetet çështja e pronave. E kemi theksuar vazhdimisht që në sipërfaqe të kosiderueshme të ish komunave dhe tani të bashkive Finiq dhe Dropull është bërë një masakër e vërtetë duke përfituar prona me vendime gjykatash apo me dokumenta fallco. Ka gjyqe që vazhdojnë pafundësisht apo çështje që janë zhvilluar pa praninë e palës së interesuar.Në një kohë që drejtësia në vend është mosbesuese dhe e korruptuar në opinionin e çdo shtetasi , imagjinohet sa e drejtë mund të jetë për çështje që kanë lidhje me minoritetin. Njëkohësisht edhe në Himarë nuk janë zgjidhur problemet e pronësisë dhe ne kemi kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare për rishikimin e të gjitha vendimeve gjyqësore që janë dhënë deri më sot.
Prioritet tjetër për ne përbën edhe arsimimi në gjuhën amtare dhe pas shumë përpjekjeve dhe propozimeve tona tani shpresojmë se do miratohet edhe udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit cili nuk ishte ndryshuar që në vitin 1994.Kohët e fundit vërehet një rritje të rasteve të vjedhjeve nëpër fshatra minoritare dhe I kemi bërë thirrje organeve kompetente të ndëryjnë me qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë publike.
Një tjetër prioritet është edhe hartimi I një drafti ligjor për minoritetet dhe më pas miratimi , që ti përgjigjet sa më mire realitetit , duke marrë parasysh propozimet tona por edhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtare për mbrojten e minoriteteve dhe të të drejtave të njeriut.
Lexo.al – Flasim pak për garën politike mes PBDNJ dhe MEGA-s. Ju jeni parti të minoritetit grek në Shqipëri. Pse 2 parti për të njëjtën kauzë? A shihni mundësi bashkëpunimi me Dulen në zgjedhjet që po afrojnë?
Kiço – Pyetja juaj është me vend dhe besoj ky është një kuriozitet në mendjen e gjithkujt. Qëllimi ynë ka qënë gjithmonë bashkëpunimi , riformatimi , futja e elementëve të rinj , përshtatja e politikave në koherencë të plotë me zhvillimet e reja ,por një gjë e tillë nuk ndodhi edhe për shkak të arrogancës që tregohej apo aleancave që bëheshin nga PBDNJ pa një qëllim esencial. Qëllimi i PBDNJ ka qënë vetëm mbajtja e pushtetit lokal dhe përfaqësimi në parlament pa një strategji të qartë në lidhje me të ardhmen e minoritetit. Kjo bëri që në zonat minoritare të mos bëhen investime ne infrastrukturë , por nuk ka patur as edhe një strategji konkrete për zhvillimin ekonomik. Megjithatë ne e kemi ftuar PBDNJ për bashkëpunim edhe në 2013-ën , edhe në zgjedhjet lokale të 2015-ës por nuk kemi marrë përgjigje. I njëjti propozim vlen edhe për zgjedhjet e qershorit ku ne e ftojmë PBDNJ në një koalicion të përbashkët me rregulla të qarta ,demokratike në përmbushje të misionit tonë.
Lexo.al – Cilat janë pritshmëritë e MEGA-s në zgjedhjet që po afrojnë? Sipas sondazheve dhe llogarive të partisë tuaj, a do jetë në parlamentin e ri MEGA e përfaqësuar?
Kiço – Kuptohet që partia MEGA kërkon të përfaqësohet në parlamentin e ri sepse gjykon që kjo do ti japë mundësi të përmbushë objektivat e saj , të sjellë një frymë të re larg konflikteve dhe retorikave boshe dhe të tregojë konkretisht vlerat e minoritetit grek ,si një komunitet human ,ligjzbatues dhe që mbart vlera të mirëfillta demokratike por njëkohësisht ndihet edhe i ofenduar nga shpërthimet e shpeshta nacionaliste apo mosrespektimit të simboleve të veta kombëtare.
Lexo.al – Si e shihni MEGA-n të pozicionuar në koalicionet e qershorit, pra, me kë do rreshtohet partia juaj? Do dalë vetëm si në vitin 2015 kur braktisi PD-në, apo do jetë aleate e njërës prej partive të mëdha?
Kiço – Partia MEGA në dy garat lokale të vitit 2011 dhe 2013 ka garuar e vetme jashtë koalicioneve të mëdha të cilat I imponon kodi zgjedhor. Vlen të theksohet që ky kod nuk është aspak demokratik dhe mund të themi që ka një përmbajtje përjashtuese për një garim të drejtë. Edhe listat e mbyllura por edhe detyrimi ligjor I mbledhjes së firmave e vështirëson mjaft mundësinë e futjes në zgjedhje, duke kufizuar të drejtën e individit apo të partive të vogla.Organet e reja drejtuese të partisë do vendosin për mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e reja ,por një gjë është e qartë që ne do të synojmë një bashkëpunim strategjik për trajtimin dhe zgjidhjen e gjithë problematikave që përmendëm më lart dhe nuk do jetë aspak një marrëveshje për të përfituar vende pune në administratë.