Nesër është parashikuar të zhvillohen zgjedhjet në Shoqatën Rajonale të Futbollit Gjirokastër, për kryetarin dhe delegatët që do të shkojnë në Asamblenë e FSHF-së më 2 mars. Përfaqësuesit e 8 klubeve janë pozicionuar kundër Armando Dukës për aq kohë sa kanë nënshkruar një kërkesë drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, me anë të së cilës duan të dinë numrin e delegatëve të shoqatës së tyre, emrat dhe mënyrën se si janë caktuar.
Firmëtarët e dokumentit të noterizuar thonë se nëse ky informacion nuk iu vendoset në dispozicion, do të konsiderojnë cdo mbledhje si të paautorizuar prej tyre dhe rrjedhimisht edhe vendimmarrjen nul. Mbetet për t’u parë se cfarë do të ndodhë nesër në orën 13:00 kur është thirrur kjo mbledhje. Ka dy skenarë. E para që në momentet e fundit të ketë delegatë të shtuar sic ndodhi në zgjedhjet e Tiranës. E dyta, që Armando Duka të lerë Gjirokastrën duke pranuar humbjen në mënyrë që të dëshmojë gjasme një proces demokratik zgjedhjesh për kreun e FSHF-së. Pra të mos ketë një impenjim kaq të madh sic pamë në zgjedhjet e Tiranës, të cilat janë paditur në Gjykatë.
Rivali i tij në këtë garë edhe pse nuk është zyrtarizuar, por qëndron pas perdes, është Dritan Shakohoxha. Procesi i zgjedhjes nëpër shoqata që i paraprin 2 marsit është shoqëruar me tensione për shkak të ndërhyrjes së kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai thotë se si aksioner i klubit Tirana ka gjithë të drejtën e përfshirjes në këto zgjedhje. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet procesi në shoqatën e Gjirokastrës. ©argjiroja.net