Pas lajmit të publikuar te ArgjiroLajm.net për një tender të hapur nga Bashkia Gjirokastër, e cila kërkon akomodim në një hotel në Tiranë për një javë, për pesë persona, ka reaguar Agjencia e Mirëqënies dhe Kujdesit Social, institucion në varësi të bashkisë. Në deklaratë sqarohet se nuk bëhet fjalë për punonjës, por për fëmijë dhe profesorin e tyre, që do të marrin pjesē në Kampionatin Kombëtar të Shahut, ndonëse ne nuk paragjykuam për asnjë çast edhe sikur të ishin nëpunës të bashkisë. Ka plot raste të tjera tenderash, ku në objekt sqarohet konkretisht destinacioni i fondeve publike, ndërsa Bashkia Gjirokastër në këtë rast është mjaftuar vetëm me përcaktimin evaziv ‘Akomodim në hotel në Tiranë’.
Pjesa tjetër e përcaktimit të fondit limit në tender realisht ka ndryshuar në fillim të këtij muaji dhe Bashkia Gjirokastër ka të drejtë në këtë pikë, pavarësisht se ky vendim i APP ka ngjallur debat sepse krijon shance për abuzim me prokurimet me vlerë të vogël. Në këtë rast Bashkia është më e informuar se ne dhe kjo s’do shumë mend sepse i shkojnë më parë ndryshimet ligjore.
Çështja e fundit në reagim, ku thuhet: “Pjesa tjetër se Agjencia bën pjesën më të madhe të tenderave të Bashkisë tregon edhe qëllimin përse bëhet shkrimi”, është pastaj konsipiracion. Në mos konspiracion, tentativë për të bërë humor. Medemek ne kemi bërë shkrim që të përbaltim punën e agjencisë që drejton Armand Mamani. Gjepura!
Në doni ta shtoni më tej konspiracionin, dilni e përsërisni atë refrenin bajat se medemek tre drejtorë të Rilindjes paguajnë te ne nga 1 mijë euro në muaj dhe kjo posaçërisht për të sulmuar punën e kësaj Agjencie. Ose rithoni atë idiotësinë se jemi të lidhur me bandat e drogës. Përtej kësaj dhe në respekt të lexuesve tanë, ne në shkrim i jemi referuar dokumentacionit publik për tenderin në fjalë. Nuk kemi thënë në asnjë radhë që Agjencia e Mirëqënies dhe Kujdesit Social bën pjesën më të madhe të investimeve, por të tenderave.
Ka dallim mes këtyre të dyjave. Ju realisht nuk bëni investime, por bëni gjithë tenderat për nevoja të institucionit sikundër thuhet në reagim. Ky është fakt! Dhe nuk po ju paragjykojmë për këtë. Ndonëse për hir të së vërtetës bën përshtypje fakti që Bashkia Gjirokastër është nga tē paktat institucione të qeverisjes vendore në vend, e vetmja në rang qarku, që këto prokurime i kryen përmes një agjencie të krijuar prej saj. Realisht kjo është një lëvizje e zgjuar e titullarit të institucionit, Zamira Ramit në këtë rast, emri dhe firma e së cilës nuk figuron asgjëkundi nëpër tendera. Për çdo lloj situate eventuale që krijohet për këto tendera, Zamira Rami, nuk figuron askund dhe rrjedhimisht s’mund të mbajë përgjegjësi. Është lëvizje e zgjuar e saj dhe sigurisht është në të drejtën e vet të veprojë në këtë mënyrë.
Sikundër ne nuk jemi duke paragjykuar punën e Armand Mamanit e as duke thënë se ka abuzime në tenderat që ai zhvillon. Për këtë nuk kemi fakte. Por apriori, Armand Mamani nuk mund të jetë i përjashtuar nga abuzimet me prokurimet, nëse nisemi vetëm nga ajo që agjencia e tij nuk kryen investime. Abuzime bëhen plot edhe kur bën tendera të kësaj natyre, pra jo investime. Kujtojmë që ish drejtori i Burgjeve sot është në burg për tenderin e ushqimeve. Ka plot raste të tjera.
Megjithatë e theksojmë edhe njëherë, nuk jemi duke thënë se Armand Mamani ka abuzuar me tenderat, as nuk kemi marrë në shënjestër agjencinë e tij. Gazetarët që i vinin ‘gjoba’ Bashkisë Gjirokastër dhe njerëzve të LSI-së, qoftë dhe për tollona nafte, sot i kanë në krahun e tyre. Sidoqoftë kjo është zgjedhja juaj. Shkrimi ynë sot bazohej në dokumente publike dhe ishte një përpjekje për të hedhur dritë mbi një prokurim. Kaq! Merreni si kontribut për transparencën publike atë shkrim, jo sulm personal dhe as tentativë për të përbaltur punën e Bashkisë Gjirokastër, sikundër ne vlerësojmë reagimin tuaj për sqarimin e kësaj çështje dhe e sjellim të plotë më poshtë.
REAGIM NDAJ INFORMACIONEVE QE PARAGJYKOJNË PUNËN E AGJENCISË SË MIRËQËNIES. Një informacion i përhapur për një procedurë, që Agjencia Mireqenies po zhvillon, me objekt “Akomodimin në Hotel ne Tirane” për pesë persona, është tërësisht dezinformues dhe paragjykon punën tonë. Për informim të drejtë të publikut dhe për të sqaruar pozicionin tonë jemi te detyruar të shpjegojmë disa gjëra në lidhje me këtë lajm.
Në lidhje se përse nuk kemi publikuar në sistemin e APP arsyen pse tenderohet ky shërbim, duhet ta dini se në asnjë pikë të ligjeve apo udhezimeve nuk përcaktohet se duhet te publikohet arsyeja përse bëhet, megjithatë për informimin tuaj dhe të opinionit ju bëjmë me dije se pesë personat nuk mund të jenë kurrsesi punonjës të Bashkisë pasi ata (punonjesit) trajtohen me dieta. Pesë personat që bëhet fjalë janë 4 femijët dhe profesori i rrethit të shahut pranë Q.K.F. ” Fato Berberi” dhe akomodimi i tyre bëhet me qëllim pjesmarrjen në Kampionatin Kombëtar të Shahut që organizohet në Tiranë nga 16-23 qershor pranë Qendrës Rinore të Tiranës në Rrugën e Kavajës. Ky aktivitet prej dy vjetësh po mbështetet nga Bashkia Gjirokaster me qëllim rritjen dhe zhvillimin më tej të këtij sporti.
Për arsyen pse nuk kemi publikuar fondin limit, po ju informojmë se duke filluar nga data 30.05.2018, me nr.protokolli 5695, nga Agjencia e Prokurimit Publik ka hyrë në fuqi udhëzimi nr. 11 datë 30.05. 2018 “Për disa ndryshime në udhëzimin nr 3 datë 08.01.2018 Mbi përdorimin e procedurave të prokurimit me vlerë të vogël dhe zhvillimit të saj me mjete elektronike (të ndryshuar)”. Në këtë udhëzim theksohet se në “Ftesën për 0fertë” nuk duhet të përcaktohet fondi limit, pasi operatorët ekonomikë duhet të ofertojnë realisht bazuar në të dhënat teknike sasiore që përcaktohen në të. Pra veprimet janë në përputhje me udhëzimin.
Ne lidhje me anullimin e procedurës, procedura eshte anulluar nga Autoriteti Kontraktor pra Agjencia, në përputhje me ligjin Nr. 9643 date 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike (i ndryshuar)” neni 24.
Pjesa tjetër se Agjencia bën pjesën më të madhe të tenderave të Bashkisë tregon edhe qëllimin përse bëhet shkrimi. Agjencia e Mirëqënies zhvillon procedura vetëm për blerjet (shpenzimet) që nevojiten për Institucionet në varësi të saj që janë institucionet arsimore. Nga Agjencia nuk zhvillohet asnjë procedurë për kryerje investimesh dhe 99% e procedurave janë blerje me vlerë të vogël. Vetëm procedura e blerjes së ushqimeve, e cila është zhvilluar gjithë kohën nga Qendra Ekonomike, është me vlerë të madhe.
Pra përfundimisht përpara se ta bëni lajm diçka që shikoni në faqen e A.P.P. duhet të kini parasysh se APP nuk është gazetë që duhet të informojë publikun prandaj që ta interpretoni ju duhet të lexoni më parë ligjet, VKM dhe udhëzimet ose së paku mund të na kërkoni informacion dhe do ta keni menjëherë.