Një tjetër shtetas shqiptar është arrestuar të mërkurën në Greqi, i akuzuar për trafik droge.
27-vjeçari po udhëtonte në aksin rrugor Trikala-Larisa dhe nuk i ndaloi patrullës së policisë që ndodhej në rrugë.
Ai rriti shpejtësinë dhe tentoi të shpëtonte, por pas përndjekjes nga makinat e policisë, u bllokua dhe iu vunë prangat.
Nga kontrolli në brendësi të makinës rezultoi se ai po transportonte një sasi kanabisi me peshë 25 kg, të ambalazhuar në 50 qese plastmasi.
Përveç drogës, policia sekuestroi mjetin, një shumë monetare prej 175 eurosh, si dhe 4 telefonë celularë.
Sipas komunikatës së policisë, rezultoi se 27-vjeçari e kishte sjellë drogën nga Shqipëria, me qëllim që ta trafikonte në tregun grek.









