Pas dhunës së ushtruar ndaj një adoleshenti ditë më parë, policia e Gjirokastrës referon një tjetër rast të përplasjes mes adoleshentëve. Tashmë i dhunuar është një 18-vjeçar.
Argjirolajm.net mëson se ngjarja ka ndodhur pranë shkollës së mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”. Video e sherrit mes nxënësve është publikuar më pas në rrjetin “Tik Tok”. Më poshtë njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen, për të cilën janë proceduar penalisht adoleshentë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, pasi kanë marrë informacion për disa të mitur, të cilët në datën 03.03.2022 kanë dhunuar fizikisht shtetasin O. Ç., 18 vjeç, menjëherë kanë kryer verifikimet përkatëse për identifikimin e shtetasve të mitur.
Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në prezencën e prindërve dhe psikologut, u proceduan penalisht shtetasit: A. B.; B. Z.; A. P.; Z. G.; B. V.; V. R. dhe F. K., të moshave 15 vjeç dhe 16 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.