Ndonëse pritshmëritë ishin që numri i azilantëve të vinte në rënie, për shkak se refuzimet e larta të dekurajonin aplikimet e reja, të dhënat nga Eurostat dhe EASO vazhdojnë të tregojnë një tendencë në rritje. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve kohët e fundit ka qenë Franca, ku janë bërë gati gjysma e aplikimeve në gjashtë muajt e parë të vitit 2019. Nëse të rinjtë shqiptarë do të ruajnë të njëjtin ritëm me largimet, do të duhen vetëm 70 vjet që Shqipëria të zbrazet. Si paraqitet situata në tremujorin e dytë në BE?
J.M, 17 vjeç, pjesë e një ekipi sportiv, u nis për në Francë në fillim të këtij viti si sportist, por vendosi që të mos kthehej më. Ai u drejtua tek një nga zyrat e emigracionit në Francë, ku paraqiti kërkesën për azil ekonomik. I favorizuar edhe prej faktit se ishte minoren, pak javë më parë, zyra franceze e emigracionit i ktheu një përgjigje pozitive për qëndrimin, ku përveç shtëpisë, i ofruan një vend pune dhe i mundësuan që të regjistrohej në një shkollë profesionale për kuzhinë.
Prej gati më shumë se dy vitesh, në Francë ndodhet edhe vëllai i tij së bashku me familjen, gruan edhe foshnjën që lindi gjatë qëndrimit të tyre si azilantë, i cili gjithashtu ka aplikuar për azil. Por kërkesa e tij vazhdon të refuzohet nga zyra e emigracionit. Për shkak të politikave tepër sociale, edhe kërkesa e E.M., nënë beqare tek të tridhjetat, e cila ka më pak se një vit e cila është vendosur si azilante në Francë u pranua në fillim të këtij viti, duke i mundësuar asaj strehim dhe përkujdesje ndaj fëmijës. Sot, shteti francez është kthyer në destinacionin kryesor të azilkërkuesve shqiptarë.
Vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit, rreth 4335 kërkesa të reja për azil janë regjistruar në shtetin francez, ndërsa sipas Eurostat numërohen në total mbi 5000 të tilla. Në total, janë shënuar në të gjithë BE-në 10,680 kërkesa për herë të parë për azil. Kjo do të thotë se, mesatarisht, që prej fillimit të vitit, çdo muaj janë larguar nga vendi mesatarisht 1780 shqiptarë. 40% e këtyre kërkesave kanë qenë të përqendruara në Francë, ku gjatë 6 muajve të parë të 2019 janë dorëzuar në total 4,435 kërkesa të reja, duke ruajtur tendencën e dy viteve të fundit.
Pas Francës, destinacioni i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku gjatë 6 muajve janë shënuar 1870 kërkesa, ndjekur nga Greqia me 1480 kërkesa për azil, Italia me 830. Ndërsa Gjermania është kthyer prej kohësh në një destinacion pak të preferuar për shqiptarët, pasi edhe shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë shumë herë më të ulëta. Për gjashtë muajt e parë të 2019-s, të dhënat nga Eurostat tregojnë se aplikuan vetëm 850 shqiptarë. Eurostat ka raportuar edhe kërkesat për azil që janë bërë në Gjermani për muajt korrik dhe gusht, ku rezulton se kanë aplikuar për të dy muajt së bashku edhe 300 shqiptarë të tjerë.
Rreth 1200 kërkesa të tjera në 6-mujorin e parë janë shpërndarë në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në Irlandë u dorëzuan gjatë këtyre muajve 465 kërkesa për azil, në Suedi dhe në Belgjikë u dorëzuan përkatësisht nga 215 kërkesa, në Holandë u regjistruan 110 të tilla, në Spanjë 65, në Zvicër 60, në Norvegji 50, ndërsa në Luksemburg dhe Danimarkë, 30 kërkesa.
Kërkesat rriten me 24%
Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik, e cila raporton të dhëna më të përditësuara se Eurostat, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin. Të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më gjatë 7 muajve të këtij viti. Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.
Shqipëria mund të zbrazet brenda 70 viteve
Të dhënat demografike të Shqipërisë nuk janë aspak pozitive, popullsia po plaket, numri i lindjeve po shkon drejt minimumit, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë drejt zeros. Kësaj i shtohet edhe fakti se vitet e fundit, vendi po përballet me një “epidemi” largimesh të popullsisë aktive, drejt Bashkimit Europian, qoftë si emigrantë me letra të rregullta, apo edhe duke kërkuar azil në dyert e Europës. Nëse largimet e popullsisë në moshë të re do të vazhdojnë me këto ritme, Shqipëria do të boshatiset për 70 vite. Sipas të dhënave statistikore të nxjerra nga Eurostat, rreth 80% e azilkërkuesve i përkisnin grupmoshës më të re se 34 vjeç.
Duke mbajtur konstant ritmin e largimit gjatë muajve të parë të 2019-s, ku për periudhën janar-korrik janë larguar mesatarisht 2000 persona në muaj, prej të cilëve (80%) rreth 1600 i përkasin grupmoshës nën 34 vjeç, i bie të largohen mesatarisht 19,200 persona në vit. Brenda 70 viteve, duke mos përllogaritur efektin e mëtejshëm të rënies së lindjeve dhe plakjes së popullsisë, Shqipëria do të zbrazet nga mosha e punës, sipas përllogaritjeve të Monitor.
Të rinjtë po ia mbathin
Edhe muajt e parë të 2019-s kanë mbajtur të njëjtin trend për sa i përket moshës. Të dhënat nga Eurostat mbi azilkërkuesit sipas moshës treguan se pjesa dërrmuese e të rinjve që u larguan i përkisnin grupmoshës nën 34 vjeç. Në periudhën janar-qershor, aplikuan për herë të parë 2,815 të mitur, të cilët përbënin çerekun e totalit të aplikimeve. Ndërsa grupmosha 18-34 vjeç, të cilët përbëjnë edhe shumicën, numëronin në total 4,650 aplikime në total, rreth 44% të të gjithë aplikimeve.
Rreth 20% e aplikimeve i përkisnin grupmoshës 35-64 vjeç, ndërsa pjesa e mbetur (10%) ishte mbi këtë moshë. “Monitor” ka nxjerrë të dhënat ndër vite në lidhje me aplikimet për azil sipas moshës. Mesatarisht, 80% e aplikuesve për herë të parë për azil ishin më të rinj se 34 vjeç. Në vitin 2018, sipas Eurostat, 79.3% e azilkërkuesve shqiptarë i përkisnin kësaj grupmoshe, 29% e tyre ishin më të vegjël se 18 vjeç, ndërsa 50% e aplikuesve i përkisnin grupmoshës 18-34 vjeç. Aplikantët për azil, për herë të parë nën 34 vjeç, përbënin 1% të popullsisë së asaj grupmoshe.
Numri total i aplikimeve për herë të parë i të rinjve, sipas publikimit të Eurostat është 140,390 nga viti 2009. Sigurisht, që edhe për këtë grupmoshë, rekordi i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me një numër prej 53,175 aplikimesh. Në tre vitet në vijim, numri i aplikimeve të reja ka rënë.
Vetëm 5% e azilkërkuesve shqiptarë u pranuan
Edhe pse renditemi në vendet me numër të lartë azilkërkuesish, vetëm 5% e vendimeve që merren nga shtetet anëtare janë pozitive. Eurostat ka publikuar javën e kaluar, të dhënat për azilkërkuesit që iu është siguruar mbrojtja në vitin 2017. Në 2017-n, mbi 22 mijë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga shtetet e BE-së, duke u renditur të shtatit pas azilkërkuesve që iu largohen konflikteve dhe luftës. Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, vetëm 5% e vendimeve mbi këto aplikime kanë qenë pozitive.
Shanset që azilkërkuesve shqiptarë t’iu sigurohet mbrojtja në një nga vendet anëtare janë të ulëta, duke qenë se Shqipëria është një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe nuk është i përfshirë nga konfliktet.
Situata në Europë në tremujorin e dytë
Në tremujorin e dytë të vitit 2019 kanë aplikuar për herë të parë për azil rreth 149,200 individë, të cilët kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE). Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, numri i aplikimeve për herë të parë ra me gati 5%, nga 157,900 që ishte numri i aplikimeve dhe u rrit me gati 4% në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë me 142,900.
Shumica e aplikimeve nga sirianët, venezuelasit dhe afganët
Me 16.200 aplikantë për herë të parë, midis prillit dhe qershorit, 2019, sirianët mbeten grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, përpara venezuelasve (10,700 aplikantë për herë të parë) dhe afganëve (10.200).
Në tremujorin e dytë të vitit 2019, njerëzit nga këto vende përfshinin tre shtetësitë kryesore të aplikantëve për herë të parë të azilit në shtetet anëtare të BE-së dhe përbënin 25% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit.
Shumica e aplikantëve për azil në Gjermani, Francë dhe Spanjë
Në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri më i lartë i aplikantëve për herë të parë u regjistrua në Gjermani (me 33,200 aplikantë për herë të parë për azil, ose 22% të totalit të aplikantëve për herë të parë në shtetet anëtare të BE-së), ndjekur nga Franca (28,600, ose 19%) dhe Spanja (28,200, ose 19%). Këto tre shtete anëtare llogaritnin së bashku 60% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit në BE-28 në tremujorin e dytë të 2019.
Numri më i madh i aplikantëve për herë të parë në krahasim me popullsinë në Qipro
Krahasuar me popullsinë e secilit Shtet Anëtar, niveli më i lartë i aplikantëve të regjistruar për herë të parë në tremujorin e dytë të vitit 2019 u regjistrua në Qipro (4,082 aplikantë për herë të parë për 1 milion banorë), Maltë (1,503) dhe Greqi (1,244). Në të kundërt, nivelet më të ulëta janë vërejtur në Sllovaki (7 aplikantë për milion banorë), Hungari (12) dhe Poloni (16). Në tremujorin e dytë të 2019, ishin gjithsej 291 aplikantë për herë të parë për azil për një milion popullsi në BE si një e tërë.
Pothuajse 900,000 kërkesa për azil ende në pritje
Aplikimet në pritje për mbrojtje ndërkombëtare janë ato që janë bërë në çdo kohë dhe janë ende në shqyrtim nga autoritetet përkatëse kombëtare në fund të periudhës së referencës. Me fjalë të tjera, ato i referohen “stokut” të aplikacioneve për të cilat vendimet janë ende në pritje.
Në fund të qershorit 2019, 880,300 aplikime për mbrojtje të azilit në shtetet anëtare të BE ishin në shqyrtim nga autoritetet kombëtare, një rënie prej 1% në krahasim me qershorin 2018 dhe marsin 2019. Me 351 600 aplikime në pritje në fund të qershorit 2019, Gjermania kishte pjesën më të madhe në BE (40% të totalit të BE), përpara Spanjës (122 100, ose 14%), Greqisë (82 900, ose 9%), Italisë (67 200, ose 8%) dhe Franca (62 700, ose 7%). MONITOR