Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, Presidenti Donald Trump reflektoi rreth arritjeve të tij, duke i quajtur ato “fitore historike”, ndërsa pasardhësi i tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden dha një ton optimist për vitin 2021. Pas disa javë përpjekjesh për të fituar betejën për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, republikani Trump tha në një video të postuar në Twitter: “Njerëzit duhet të na kujtojnë për atë që është bërë”.
Trump, i cili ende nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen në zgjedhjet e nëntorit ndaj rivalit demokrat, u kthye në Uashington nga vendpushimi i tij në Florida më herët se sa ishte planifikuar. Ndërkohë, duke folur nga shteti Delauer, Presidenti i zgjedhur Biden shprehu nderim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe inkurajoi njerëzit që të vaksinohen./VOA









