Kryeministri grek Alexis Tsipras ka shpallur në një fjalim para kombit, se pas takimit me homologun e tij shqiptar Edi Rama, ai ishte gati për firmosjen e një marrëveshje strategjike me Shqipërinë dhe ka dhënë “Ok”-in për hapjen e negociatave me BE-në. Në një deklaratë nga pallati “Maximos”, Tsipras tha se se ka arritur që të zgjidhë problemet me dy fqinjët e tij verior siç janë Maqedonia dhe Shqipëria.
“Unë premtoj se në vitet e ardhshme do të ndjek me një përgjegjësi patriotike një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët. Duke pasur parasysh se kjo është përgjegjësi e qeverisë greke dhe e imja, mund të them se kemi arritur një rol të rëndësishëm si lider në Ballkan”.
Tsipras deklaroi se për bisedimet me Shqipërinë fqinje, ai ka takuar Presidentin e Republikës dhe krerët e partive politike, se ai ka hapur rrugën e një normalizimi të plotë dhe përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
“Jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë. Një marrëveshje që do të zgjidhë dallimet kritike dhe do të çojë në votën tonë për hapjen e e negociatave të pranimit të vendit tonë fqinj në BE”, deklaroi kryeministri grek, duke shtuar se ka një konsensus të të gjitha partive politike greke për të normalizuar marrëdhëniet me Tiranën.
“Ky është një shembull i rëndësishëm se si bëhet politika e jashtme në vendet fqinje, ku për çështje strategjike nuk ka ndarje dhe sulme mes mazhorancës dhe opozitës”, tha shefi i qeverisë së Athinës.
Ndërkaq, në lidhje me Maqedoninë, Tsipras ka thënë gjithashtu se çështjet po ecin përpara dhe ka lavdëruar politikën e ndjekur nga Zoran Zaev.









