“Lufta e ftohtë” mes UEFA-s dhe FIFA-s nuk ka fund, me qeverinë e futbollit evropian që nuk mjaftohet vetëm me faktin që FIFA u tërhoq nga projekti i tyre për të shitur, privatizuar, një pjesë të drejtave të organizimit të Botërorit, por tani me “bekimin” e Ceferin, UEFA kërkon edhe “kokën” e Gianni Infantino-s.
Me anë të një reagimi publik, UEFA saktësoi se pozicioni i tyre, i federatave anëtare, nuk ndryshon, bojkoti ndaj turneve që organizon FIFA mbetet në fuqi për sa kohë në krye të FIFA-s është Gianni Infantino: “Kemi humbur besimin ndaj presidencës së Infantinos”, ky është edhe thelbi që UEFA vijon t’i qëndrojë besnik.

Së fundmi, edhe Federata Shqiptare e Futbollit reagoi duke bërë publike një letër zyrtare dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, përmes së cilës e njofton për revokimin e mbështetjes së saj ndaj kandidaturës së z. Gianni Infantino për një mandat të ri katërvjeçar në postin e Presidentit të FIFA-s. Në letrën e firmosur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksohet se, pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e Infantino. Ky vendim vjen në vijim të zhvillimeve të fundit në futbollin ndërkombëtar dhe qëndrimeve të shprehura nga federatat europiane lidhur me proceset e qeverisjes së FIFA-s.







