Greqia do të futet sërish në shtetrrethim. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka konfirmuar lajmin duke thënë se kjo është një përpjekje për të vënë nën kontroll valën e re të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Kjo do të jetë mbyllja e dytë e vendit që do të hyjë në fuqi të shtunën në mëngjes. Me masat e reja parashikohet mbyllja e të gjitha dyqaneve me pakicë, ndalimi i udhëtimeve midis rajoneve dhe për të lëvizur qytetarët duhet të kërkojnë leje. Po ashtu në kuadër të këtyre masave është parashikuar mbyllja e shkollave të mesme ndërsa kopshtet dhe shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura.
Mitsotakis tha se ky vendim erdhi si një detyrim nga rritja e rasteve të reja në pesë ditët e fundit. Ai gjithashtu tha se qeveria do të mbështesë financiarisht qytetarët të cilët do të dëmtohen nga bllokimi i ri.