Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka përkujtuar festën kombëtare të Greqisë, siç konsiderohet “JO”-ja që Greqia i dha ultimatumit të italisë në Luftën e Dytë Botërore, pikërisht në varrezat e ushtarëve grekë të luftës italo-greke. Dule tha nga Këlcyra se “janë të papranueshme etiketimet e të rënëve grekë si pjesë e një ushtrie të huaj ndërkohë që bëhej fjalë për një lufte kundër anti-fashizmit”.
Kreu i PBDNJ-së theksoi se nderimi i të rënëve gjatë luftës duhet të ishte përmbushur kohë më parë nga Shqipëria dhe është një mision faktikisht.
“Nuk jam unë ai që mund të them se çfarë mendon Greqia. Ajo mund të them është që nuk është vetëm një marrëveshje. Nderimi i të rënëve nga lufta anti-fashiste, dhe në rastin konkret heronjve të ushtrisë greke kundër pushtuesve fashistë italianë, është një mision i shoqërisë shqiptare, i Shqipërisë që duhet ishte përmbushur më parë. Mentalitete të tilla, se ishte një ushtri e huaj janë të papranueshme në kohën kur bëhet fjalë për t’i dhënë një goditje fashizmit. Në Normandi luftuan amerikanët, britanikët”, tha Dule.
Sa i takon vrasjes së Katsifas, rreth dy vite më parë, Dule tha se ajo duhet të zbardhet sa më parë, dhe është kërkesë që ndodh në çdo shtet të së drejtës.
“Duhet që sa më parë të përmbyllen procedurat dhe të jepet një përgjigje e qartë dhe e vërtetë, për ndodhinë e dy viteve më parë”, tha Dule.