Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Vangjel Tavo flet në një intervistë për“standard” mbi draftin e socialistëve për Kodin Zgjedhor i cili pritet të votohet në Parlament ditën e sotme. Sipas Tavos, Rilindja është hedhur kokë e këmbë në paligjshmëri dhe anti-kushtetutshmëri. Ndërkaq ai thekson se përtej çdo manovre, pas 25 prillit PS do jetë në minorëncë me numrin më të ulët të deputetëve që ka marrë në këto 30 vite. Po ashtu ish-ministri i Shëndetësisë komenton edhe situatën e pandemisë, ku flet për dështim total të qeverisë për menaxhimin e koronavirusit. Sipas tij lidhur me këtë dështim SPAK duhet të nis hetimin, pasi ëhstë vënë në rrezik shëndeti i njerëzve nga pakujdesia qeveritare.
Në Komisionin e Ligjeve është miratuar drafti i PS-së që hap në mënyrë të pjesshme listat e kandidatëve për deputetë si edhe heq mundësinë e koalicioneve parazgjedhore. Si e shihni këtë vendimmarrje?
Sekti i rilindjes është i tmerruar nga humbja e madhe që e pret me 25 prill. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë por edhe vetë socialistët po e braktisin këtë sekt që e shkatërroi vendin si asnjëherë më parë. Nën këtë panik të madh që e ka zënë, Rilindja është hedhur kokë e këmbë në paligjshmëri dhe anti-kushtetutshmëri duke miratuar ligje e drafte e iniciativa të marra, në kundërshtim të plotë si me partnerët tanë ndërkombëtarë sic janë BE dhe SHBA, por së pari me vetë Kushtetuën e vendit, ligjet tona, dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Rilindja jo vetëm është e panikosur por edhe më e korruptuar se kurrë. Ajo refuzon të hapë listat 100% sepse jo vetëm nuk ka në gjirin e saj figura të painkriminuara por edhe se ka frikë të madhe nga deputetët që do zgjedhi vetë populli. Pasi, kreu i rilindjes kërkon lolo dhe jo njerëz me integritet të cilët kur ai të jetë në opozitë në një minorancë të ulët, me numrin më të vogël të deputetëve që PS ka marrë në këto 30 vite, ata të mos e braktisin e ta lënë të vetëm në Parlament.
Të hapen 100% listat. Demokracia duhet të prevalojë. Njerëzit të votojnë për kandidatin e tyre. E dinë të gjithë shqiptarët frikën e tyre por ajo frikë është e merituar ndaj le ta mbajnë ata mbi shpinë dhe jo njerëzit e thjeshtë.
Opozita e bashkuar është fituese, me një rezultat spektakolar. Ky është fakt. Rilindja vetë e di këtë ndaj edhe ka bërë cantat gati, po firmos qindra miliona euro tendera e koncensione me nxitim me shpresën që të lerë tokë të djegur nga pas. Rilindja po lë pas një tokë të djegur për socialistë të thjeshtë, për familje punëtore, për biznese të vogla e të mëdha, për ata të rinj të cilët po largohen dita-ditës. Kjo është një qeveri që nuk ka as edhe një grimcë dashuri e dhembshuri për popullin e vet. Të gjithë shqiptarët e kanë parë e kuptuar këtë. E shkatërruar shtetin, Kushtetutën, ligjet, ekonominë, rajonet, qytetet, fshatrat, rininë. Ndaj edhe në largim e sipër po mundohen ta rrënojnë plotësisht demokracinë në këtë vend.
Rilindja është si një re karkalecash që shfaros arat me të korra, bereqetin e fushave dhe pasuritë e një vendi. Ata lëvizin nga njëra fushë në tjetrën për ta zeruar. Kështu e bënë me Shqipërinë, me Gjirokastrën, ne cdo qark të vendit. E zeruan totalisht Shqipërinë, zhvatën cdo familje shqiptare, dëshpëruan të madh e të vogël, shpopulluan vendin, e po lenë një tokë të shkretuar nga pas.
Por kjo re karkalecash, me emrin rilindje, do zbohet një herë e përgjithmonë më 25 prill e nuk do fluturojë më kurrë mbi kryet e shqiptarëve. 25 prilli do jetë rikthimi i shpresës dhe rindërtimi i vendit. LSI dhe opozita e bashkuar i qëndron fort parimit për lista të hapura 100% pasi kjo është më demokratike, transparente, dhe i shërben më së miri njerëzve të thjeshtë.
E vlerësoni si një minus me peshë për Opozitën e Bashkuar heqjen e koalicioneve të përbëra, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit?
Rilindja është e falimentuar, ndaj çdo manovër që ajo tenton të bëjë është thjesht një alibi më shumë për frikën e saj të madhe dhe humbjen e saj të pashmangshme. Ajo duhet të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, dhe të dëgjojë apelin e vazhdueshëm nga SHBA, BE, Bundestagu Gjerman, etj të cilët në mënyrë të përditshme i apelojnë kësaj qeverie në largim të respektojë atë marrëveshje pasi në të kundërt jo vetëm dëmtohet edhe më shumë demokracia, shtohet edhe më shumë kriza politike, por edhe pengohet integrimi i vendit në BE.
Por, siç tashmë e kanë parë dhe kuptuar përfaqësitë e huaja në vendin tonë, të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë Euro-Atlantik, kryeministri i dështuar i këtij vendi, për të ruajtur ende karrigen e tij rrezikon të ardhmen e vendit.
A është ky lidership dhe shtetari? Jo. Kjo është ligësi dhe egoizëm i sëmurë. Etja për pushtet e një njeriu të vetëm mban peng të ardhmen evropiane të një vendi të tërë. Ky nuk është thjesht një egoizëm i sëmurë, ky është një egoizëm i pafalshëm historik. Ndaj edhe po kaq historike do jetë edhe humbja e tij me 25 prill.
LSI duket më shumë së kurrë e angazhuar për zgjedhjet, ndërsa janë intensifikuar takimet me qytetarët dhe anëtarësinë. Cilat janë pritshmëritë nga terreni?
LSI ka nisur angazhimin e saj me ritme shumë të shpejta, por mbi të gjitha shumë optimiste. Familja jonë politike po shtohet dita-ditës me më shumë të rinj, gra, intelektualë, njerëz të thjeshtë apo nga fusha e biznesit, për të kontribuar në misionin e madh të kthimit të shpresës dhe ndërtimin e vendit.
Ju siguroj, se LSI do arrijë një rezultat spektakolar pasi siguria jonë është rinia. Aty ky ka rini ka gjithmonë fitore. Dhe fitorja e 25 prillit do jetë madhështore, jo vetëm për familjen tonë politike, opozitën e bashkuar, por për të gjithë shqiptarët.
Pandemia e Covid-19 vazhdon të jetë një rrezik i përditshëm në vend, ndërsa shifrat e të infektuarve të rinj nuk po pësojne ulje. Si e gjykoni këtë situatë dhe cili është vlerësimi juaj për strategjinë e shtetit për përballimin e saj?
Pandemia është në liri të plotë duke bërë punën e saj, pa asnjë menaxhim apo strategji nga qeveria. Shqiptarët janë në duart e Perëndisë, në duart mjekëve tanë të mrekullueshëm të cilët me profesionalizëm po japin më të mirën edhe pse të braktisur nga shteti, dhe nga ndërgjegjësimi vetë i njerëzve për të ruajtur distancimin, mbrojtjen dhe higjenën. Përsa i përket shtetit, pandemia ka dalë totalisht jashtë kontrollit.
Me papërgjegjshmërinë më të madhe kjo qeveri ka rrezikuar jetën e qytetarëve, mjekëve, nxënësve, mësuesve, të gjithëve, pasi përvec retorikave boshe politike në facebook apo me mitralozët që nxorri në rrugë për të luftuar koronavirusin ajo jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta menaxhuar pandeminë por edhe ka vënë më shumë në rrezik shëndetin publik.
E gjitha periudha e pandemisë duhet hetuar nga prokuroria e posacme SPAK pasi cënimi kaq serioz i shëndetit publik përbën shkelje penale. Dhe shumë e shumë anëtarë të qeverisë duhet të japin llogari për neglizhencën, paaftësinë, keq-menaxhimin, dhe aferat korruptive të kryera gjatë të pandemisë.
Kjo qeveri duhet të kishte dhënë dorëheqje e gjitha që me fillimin e pandemisë e të ishte drejtuar nga profesionistë dhe jo gaztorë të korruptuar që edhe nga fatkeqësia kombëtare përpiqen të përfitojnë sa më shumë.
A besoni se së bashku me pandeminë, me ardhjen e virozave dhe gripit stinor, vendi do të shënojë përkeqësim sa i takon shëndetit të qytetarëve. Cila do ishte këshilla juaj?
Kam jo vetëm këshillë por apel urgjent.
Së pari, e përsëris, të sigurohen teste falas për COVID-19 ose subvecion nga shteti për testet e bëra në privat. Nuk mundet dot një familje shqiptare të përballojë testime me qindra euro! Mos i varfëroni më shumë shqiptarët, ua morët edhe frymën e fundit, o të marrë. Gjithashtu vaksina falas për gripin dhe koronavirusin. Mos bëni skema përfitimi prej miliona eurosh por mbështetini njerëzit e thjeshtë sepse po jetojnë në kushte mbijetese.
Anuloni planet që keni për PPP-të qindra miliona eurosh të cilat nuk janë prioritete dhe konsideroni prioritet jetën e shqiptarëve dhe shëndetin publik. Mjaft me vjedhje e me mashtrime, Ruani jetën dhe shëndetin e njerëzve të thjeshtë të cilët sot janë më të braktisur sesa kurrë./ Standard