Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat e ushtarëve grekë në jug të vendit. Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij afgan, Kotzias është shprehur.
“Besoj se vendimi që u mor më 13 dhjetor dhe u publikua dje, sipas të cilit rregullohen çështjet e varrezave të ushtarëve grekë, përbën një hap kolosal edhe për t’u qetësuar shpirti i të rënëve – siç thotë populli. Por edhe një hap i besimit ndërmjet të dy vendeve tona”.
Një ditë më parë u bë publik vendimi i qeverisë shqiptare, por nuk saktësohet vendi se ku do të ndërtohen varrezat e tjera. Vendimi vjen disa ditë pas vizitës së ministrit Ditmir Bushati në Kretë, ku u shtruan për diskutim të gjitha çështjet e mbartura mes dy vendeve.









