Vettingu ka sjellë “viktimën” e parë nga sistemi i drejtësisë. Gjyqtari Fatos Lulo është përjashtuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi nuk justifikon dot pasurinë e tij qindra mijëra dollarë. Vendimi u mor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. “Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit të Fatos Lulos, anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendim.
Dy ditë më parë, Lulo ishte thirrur në seancë dëgjimore të vetingut, por nuk u paraqit para trupës gjyqësore të KPK-së, ndërsa kishte dërguar si mbrojtës avokatin e tij. I kaluar në filtrat e KPK-së prej 5 muajsh, së bashku me aftësitë profesionale, lidhjet e tij dhe pasuritë, gjyqtarit kushtetues iu përmend si i dyshimtë vetëm burimi i pasurive.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, tha relatorja Etilda Çiftja, konkludon se Fatos Lulo ka kryer deklarim të rremë, përsa kohë nuk dihet burimi i pronave. Për këtë u numëruan në seancë si pasuri të gjyqtarit kushtetues shuma prej 100 mijë dollarësh që iu dhurua nga e motra Drita Lulo dhe kontrata e borxhit prej 480 mijë dollarësh me të cilën ishte planifikuar të blihej shtëpi në Toronto të Kanadasë.









