Mes përçarjes së vazhdueshme me djalin e saj të madh, Victoria Beckham ka folur për fëmijët e saj, duke thënë se si ajo ashtu edhe bashkëshorti i saj janë përpjekur gjithmonë t’i mbrojnë ata. Brooklyn i ndërpreu lidhjet me familjen e tij në një postim të ashpër në mediat sociale në janar, duke thënë se nuk ka plane të pajtohet me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, dhe duke i akuzuar ata se “e kanë kontrolluar për pjesën më të madhe të jetës së tij” dhe se janë përpjekur t’i prishin marrëdhënien me gruan e tij, Nicola Peltz.
Stilistja e modës dha një intervistë për Wall Street Journal dhe, ndër të tjera, tha: “Mendoj se ne gjithmonë i duam shumë fëmijët tanë. Gjithmonë jemi përpjekur të jemi prindërit më të mirë që mund të jemi. Dhe, e dini, kemi qenë në sy të publikut për më shumë se tridhjetë vjet dhe e tëra çfarë kemi provuar të bëjmë është t’i mbrojmë dhe t’i duam fëmijët tanë. Dhe, e dini, kjo është e gjitha që dua të them për këtë.”
Victoria Beckham u pyet gjithashtu nëse ndiente ndonjë keqardhje që e kishte nxjerrë familjen e saj, përfshirë katër fëmijët dhe prindërit e saj, në publik, dhe ajo tha se nuk ndiente asnjë faj. “Nuk do të thoja se ka ndonjë faj të përfshirë. Do të thoja se u desh shumë përshtatje që mamaja dhe babai im të kishin papritur paparacët jashtë shtëpisë së tyre. Ne i kemi sjellë vërtet familjet tona me vete në këtë udhëtim“, tha ajo.
David dhe Victoria Beckham nuk kanë folur me Brooklyn që nga maji i kaluar, kur ai dhe gruaja e tij nuk morën pjesë në festimet e 50-vjetorit të ish-futbollistit. Duke folur në intervistë për katër fëmijët e saj, stilistja shtoi se “të jesh prind i fëmijëve që tani janë të rinj dhe të rritur, o Zot, është shumë ndryshe nga të kesh fëmijë të vegjël”.
«Mendoj se po përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi», tha ajo, duke shtuar se publiciteti negativ i tre muajve të fundit nuk ka ndikuar në biznesin e saj të modës dhe bukurisë. «Mendoj se në fund të fundit njerëzit blejnë produktet e mia sepse janë vërtet të mira. Nuk mendoj se ata blejnë lapsin tim të syve vetëm sepse jam unë », vuri në dukje ajo.









