Këtë të mërkurë u zhvilluan dy ndeshjet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Barazim 1-1 mes Dinamos dhe Vllaznisë në takimin e luajtur në “Air Albania”.
Shkodranët e mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Bismark. Dinamovitët patën rastin e artë për të barazuar shifrat në fillimin e pjesës së dytë me Bregun, por ky i fundit dështoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Vllaznia u përpoq që të mbronte me fanatizëm rezultatin, madje shënoi edhe golin e dytë por u anulua për pozicion të parregullt. Dinamo mori barazimin në fund me një gol të Bregut, i cili shleu gabimin që bëri tek 11-metërshin.
Në përballjen tjetër në Rrogozhinë, barazim 1-1 mes skuadrës së Elbasanit dhe Egnatias. Golat u realizuan nga Sota dhe Ze Gomesh. Ndeshjet e kthimit, të cilat do të vendosin skuadrat që do kualifikohen për në finalen e madhe, janë të programuara për datat 22 dhe 23 prill.









