Mirela Kumbaro është ministrja më jetëgjatë në dikasterin e Ministrisë së Kulturës dhe qëndron aty prej dy mandatesh. Përgjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta nismat dhe projektet e saj në fushën e kulturës dhe një nga nismat e fundit ka qenë “Lëvizja Kombëtare për Lexim”, një fushatë që synon të kthejë vëmendjen tek libri dhe leximi.
Por një status i saj në rrjetet sociale shkaktoi polemika të mëdha dhe shumë komentues vlerësuan si të papërshtatshëm fjalorin e përdorur nga ministrja Kumbaro.
“Ne duhet të kemi sërish libra të mirë. Nëse shkon në shtëpinë e dikujt që nuk ka libra, mos u q* me të. Mos e lejo atë të të eksplorojë ty para se të eksplorojë universet sekrete të librit”, shkruhej në statusin e Kumbaros në Twitter.
Pas komenteve të shumta që shpërthyen në të gjitha mediat, Kumbaro reagoi duke thënë se ishte vetëm një citim i John Waters.









