“U bëjmë thirrje të gjithëve mos shkelni në këtë spital”. “Babain tonë nuk e prekën me dorë, pasi e lanë tre orë në ambulancë se nuk kishte vende, e harruan në një karrige pa kujdes deri sa vdiq ». Një video rrënqethëse e dy bijave të 79 vjeçarit Rifat Lalo, që humbi jetën në spitalin infektiv nga Covid 19, ka tronditur sot të madh e të vogël.
“Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për tia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë mos sillni më më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tone. Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë”, tha njëra prej vajzave në oborin e QSUT-së për kamerat e FAX News.
Mbërritjen e pacientit ditën e djeshme rreth orës 16 30 në spital e ka konfirmuar në një deklaratë zyrtare edhe drejtoria e qendrës spitalore. “Ai mbërriti , “në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)” theksohet aty dhe shtohet se skaneri që familjarët thonë se nuk iu bë është kryer për 45 minuta pas hyrjes në spital.
“Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.
QSUNT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën” vazhdon sqarimin drejtoria e spitalit e cila lë të kuptohet se faji për vdekjen ishte i Pacientin që ka mbërritur në QSUT me shumë vonesë.
Por në denoncimin e dy vajzave të 79 vjeçarit, problemi kryesor që ngrihet kuk është nëse gjendja e babait të tyre ishte e shpëtueshme apo jo. Shqetësimi është se në orët e tij të fundit, Rifat Lalos nuk iu garantua një vdekje me dinjitet. Ato pretendojnë se askush nuk e kishte prekur me dorë apo të qe kujdesur për të, se e kishin lënë në një karrige në koridor ku pacienti ndërroi jetë, duke u dridhur nga të ftohtit, pra se për të nuk ishte treguar as kujdesi minimal.
Ndonëse nga zyrtarët e shëndetësisë këto deklarata shpjegohen me gjendjen e rënduar psikologjike të familjarëve, një gjë mbetet e dyshimtë. “A mundet një prind ti telefonojë fëmijëve të vet, për ti thënë paguani edhe para që të më nxirrni që këtu”? A mundet ai ti shqetësojë deri në këtë masë familjarët pa shkak? A duhet besuar se gënjen një njeri që është në çastet e fundit të jetës, apo se e kanë më lehtë ti dredhojnë të vërtetës burokratët shëndetësorë. Gjithësesi videoja që kemi parë të gjithë me sytë tanë është shumë e rëndë.