Vrasja e 20-vjeçares britanike Caroline Crouch nga bashkëshorti i saj Babis Anagnostopoulos, është një ndër ngjarjet që ka tronditur opinionin publik në Greqi dhe në Britani. Ndonëse kanë kaluar afro 2 muaj nga ngjarja e trishtë, detaje të reja vijojnë të publikohen dita-ditës. Së fundmi, mediat greke kanë hedhur aludime se në këtë ngjarje të rëndë është i përfshirë dhe një person i tretë.
Sipas tyre, policia greke po verifikon pretendimet se piloti kishte lidhje me një grua tjetër. Gazetari grek Vassilis Lambropoulos e ka pohuar këtë fakt duke thënë se 32-vjecari kishte kontakte me një grua, identiteti i të cilës nuk është bërë publik. Mendohet se Crouch mund ta ketë zbuluar një gjë të tillë e ndoshta kjo ka qenë arsyeja përse ka dashur të largohet nga shtëpia. Ndër të tjera në media thuhet se familja e Caroline, ishte në dijeni të një marrëdhënie të tillë dhe së bashku me përfaqësuesit e saj ligjorë, po hetonin thashethemet rreth marrëdhënies së vrasësit, kontaktit ose njohjes me një grua nga mjedisi i gjerë profesional.









